HISTORIA REALE E SHQIPERISE!? (Polemika)

HISTORIA REALE SHQIPERISE!?

(Me autorë të huaj apo shqiptarë?)

(Opinione nga gazetarë, akademikë dhe historidashës)

EDITORE:  SAIMIR BEGANJI      NDREK GJINI

Ne apo të huajt?

‘Historia reale e Shqipërisë!?’ që merrni sot në dorë nuk është libër historie, por një përmbledhje polemikash rreth një çështje shumë të rëndësishme. Çështje e cila lidhet me nevojën, apo më saktë, me domosdoshmërinë e përpilimit dhe botimit të një Historie reale të Shqipërisë. Ky libër ka në titull një pikëçuditëse dhe një pikëpyetje. Përdorimi i shenjave të tilla në tituj librash ndeshet shumë rrallë. Por ne si editorë vendosëm t’i përdorim. Kjo për arsyen e vetme se në klimën politike që ekziston sot në Shqipëri, po të botohet një libër historie me titulin ‘Historia reale e Shqipërisë’ të gjithë do ta vinin në dyshim këtë tekst, dhe do të çuditeshin, e ndofta qeshnin me guximin e çmendur të hartuesve të këtij teksti, (emocione të cilat në gjuhësi shënjohen me pikëçuditëse). Përveç kësaj, po të gjithë do të ngrinin mijëra pikëpyetje rreth asaj se sa real është ky tekst historie i quajtur ‘Historia reale e Shqipërisë’, (emocione të cilat në gjuhësi shënjohen me pikëpyetje). Por siç e thashë ky libër është thjesht një përmbledhje polemikash rreth asaj se si, qysh, dhe kush duhet ta marrë përsipër shkrimin e një teksti të Historisë reale të Shqipërisë. Kush mund ta bëjë këtë punë më mirë, historianët shqiptarë apo ato të huaj?

historiaKur miku im Ndrek Gjini, bashkëeditor me mua në këtë përmbledhje polemikash, para disa muajsh, më dha për të lexuar një shkrim me titull ‘Kujt duhet t’ia besojmë shkrimin e historisë tonë’, unë, pasi e lexova iu përgjigja, ‘Vështirë të ta botojnë, por nëse do e botojnë do të shkaktojë polemika’. ‘S’ka gjë’, u përgjigj ai qetë-qetë, ‘nuk më heq njeri nga puna’, tha me ironi, ‘unë nuk i shkruaj këto shkrime për bukën e gojës, i shkruaj se ashtu i mendoj, ashtu e ndjej se i bëhet mirë vendit tim’.

Dhe doli ashtu siç e parandjeva unë. Shkrimi u botua. Dhe, ky shkrim vërtetë shkaktoi shumë polemika. Në këto polemika u përfshinë gazetarë, akademikë dhe historidashës.

Unë dhe Ndrek Gjini i ndoqëm me interes këto polemika, dhe vendosëm t’i botojmë ato të përmbledhura në një libër modest siç është ky libër që ju merrni sot në dorë.

Janë shumë figura, ngjarje apo dhe aspekte të ndryshme të historisë së Shqipërisë, për të cilat unë kam mendim të ndryshëm apo shpesh herë dhe të kundërt nga Ndrek Gjini. Megjithatë ne jemi miq. Shpenzojmë bashkë orë të tëra, duke diskutuar për historinë. Shkëmbjemë libra, nënvizojmë, nxjerrim shënime, sjellim argumente, duke iu referuar burimeve të reja që gjejmë ndër botime të ndryshme, i krahasojmë të dhënat, dhe secili mundohemi, se si e si të triumfojmë në argumentin apo provat që sjellim. Ky është një debat i shëndetshëm. Nuk na ka armiqësuar, përkundrazi na ka miqësuar më shumë.

Por a ndodh kjo në Shqipëri? Fatkeqësisht jo. Po botoi dikush një shkrim, ku sjell prova dhe fakte të reja rreth një ngjarje historike, apo e argumenton dhe e komenton një personazh historik, duke e parë atë në një këndvështrim ndryshe, të gjithë i hidhen në fyt dhe gati sa nuk ia marrin frymën. E shpallin injorant, tradhëtar, analfabet, të shitur te të huajt, të paguar nga greku, serbi apo nga vetë lugati. Pra, me pak fjalë klima e polemikës dhe e debatit të shëndoshë fatkeqësisht në Shqipëri nuk ekziston. Mungesa e këtij debati të shëndoshë ka bërë që historia të shkruhet sipas orekseve të politikës së ditës dhe jo me një objektivitet shkencor. Kjo është një gjë e dëmshme për psikikën e masës së gjerë të njerëzve, dhe përveç kësaj, me pasoja tepër të rënda dhe të pariparueshme për brezat e rinj, të cilëve kjo lloj ‘historie’ u injektohet me pahir në shkolla përditë.

Si duhet ta zgjidhim këtë çështje? Kush duhet ta shkruajë një tekst të Historisë reale të Shqipërisë? Ne apo të huajt? As unë nuk jam plotësisht dakort me idenë e mikut tim Ndrek Gjini, që shkrimin e kësaj historie t’ua lemë totalisht në dorë të huajve. Por kjo nuk na ka penguar dhe nuk na pengon të takohemi përditë dhe përditë diskutojmë rreth versioneve të tjera, të ndryshme; se si mund të zgjidhet kjo çështje. Ne nuk kemi asgjë në dorë. Ne veç shqetësohemi si shqiptar, si prindër, si historidashës. Ne debatojmë dhe madje vendosëm që këto debate e polemika t’i botojmë të përmbledhura në një libër si bashkëeditor, pa na penguar aspak këndvështrimet e ndryshme për shumë ngjarje, data apo personazhe të historisë tonë.

Unë mendoj dhe besoj se, hartimi i një teksti historie mund dhe duhet të shkruhet nga historianët shqiptarë, por pa neglizhuar aspak në përfshirjen e këtij aksioni të madh ndihmën, konsulencën dhe si të thuash konsensusin e disa historianëve të huaj, që janë marrë dhe merren me historinë e Shqipërisë. E pastaj ky tekst mendoj se do ia vlente t’u jepej me detyrim për ta lexuar deputetët e Parlamentit. Dhe, pas kësaj, të mos botohej pa marrë së paku votat e dy të tretave të Parlamentit. Apo, pse jo të hidhet edhe në referendum. Ndjekja e këtyre procedurave duket diçka e ekzagjeruar, por mendoj se është e vetmja zgjidhje për t’u prerë rrugën shkrimit të teksteve të ‘historisë’ çdo katër apo tetë vjet; sa herë ndërrohen partitë në pushtet. Ndjekja e këtyre procedurave do t’i bënte tekstet bazë të historisë si të thuash një ‘Bibël’ apo ‘Kuran’ për shqiptarët.

Edhe me idenë time bashkëeditori i këtij libri nuk është dakort. Pasi ai thotë se shkrimi i historisë nuk është një proces statik, por dinamik, pra, ai thotë se historia rishkruhet sa herë dalin në dritë fakte të reja. Unë e kuptoj këtë dhe e pranoj. Por, është fjala që të kemi një mirëkuptim të gjerë për shtyllat bazë të historisë, për ato gjëra bazike që mësojnë nxënësit e shkollave para se të shkojnë në gjimnaz. Në këtë moshë formohen personaliteti dhe karakteri i njeriut. Ndaj, për këto tekste bazë duhet të kemi një mirëkuptim dhe aprovim sa më të gjërë, në mënyrë që kjo moshë të mos mësojnë çdo katër, apo tetë vjet gjëra që bien ndesh me njëra-tjetrën.

Së fundi, duke dashur të sjellim shembullin tonë personal rreth kuptimit real që ka debati dhe polemika e shëndoshë, vendosëm ta botojmë këtë libër si bashkëeditor. Kjo si një shenjë për të treguar atë që pikëpamjet e ndryshme, dhe madje nganjëherë, të kundërta lidhur me aspekte apo personazhe të ndryshme të historisë së Shqipërisë, nuk na penguan fare në këtë sipërmarrje.

Duke iu uruar një lexim të këndshëm të kësaj përmbledhje polemikash, me mendime nga më të larmishmet, nga gazetarë, akademikë dhe historidashës, mbi një çështje kaq të rëndësishme, siç është shkrimi i një historie reale të Shqipërisë, iu garantoj se unë dhe miku im Ndrek Gjini, do të vazhdojmë ta propagandojmë idenë tonë rreth nevojës së përpilimit dhe botimit të një teksti bazë të Historisë së Shqipërisë me objektivitet shkencor, me paanësi, dhe me një konsensus sa më të gjerë. Kjo sipas meje të realizohet me punën e historianëve më të mirë shqiptare nën konsulencën e domosdoshme të disa historianëve të huaj që janë marrë me çështjen shqiptare, ndërsa sipas mikut tim Ndrek Gjini, bashkeditor me mua në këtë përmbledhje polemikash, me punën e veç historianëve të huaj. Për më gjatë, le t’ia lemë lexuesit të na gjykojë.

Saimir Beganji

Debat si duhet rishkruar apo revizionuar Historia e Shqipërisë

Komente, argumente, mendime, dhe replika.

Ndrek Gjini: E them këtë, pasi kam bindjen më të plotë që, po t’i pajisë Sali Berisha me fonde, materiale dhe infrastrukturë të bollshme institucionet që drejtohen sot nga Beqir Meta, Aurel Plasari apo Ardian Marashi; nesër Edi Rama, apo kushdo tjetër qoftë Kryeministër i së majtës, do të japë prapë fonde të tjera, për po këto institucione, tanimë të drejtuara (le të themi) nga Paskal Milo, Pëllumb Xhufi apo Kristo Frashëri, për t’i rishkruar nga e para këto tekste historie. Dhe kështu, sa herë që do të ndërrohen partitë në pushtet, do të rishkruhen tekstet e historisë së Shqipërisë sipas orekseve të politikës së çastit. Dhe, për fat të keq, ky rishkrim do të prekë jo vetëm kapitujt e historisë së katër apo pesë shekujve të fundit, por do të shtrihet deri në Epokën e Gurit. Kjo pasi, këta historianë shqiptarë të paguar, dhe me lidhje personale apo farefisnore me politikën qeverisëse, nuk mund të jenë kurrsesi objektivë…. Lexo më shumë në brendësi të librit

Aurel Plasari: Ndoshta autorin e shkrimit e ka shtënë në lajthim dëshira për të përfshirë në listing Aurel Plasarin, drejtor i Bibliotekës Kombëtare, të cilit i shkon për dore të shkruajë edhe ese ose libra që kanë të bëjnë me historinë. Por ç’lidhje ka kjo me gjasën që Biblioteka Kombëtare të llogaritet mes institucioneve që kanë detyrë shkrimin – ose rishkrimin – e “teksteve të historisë”? Plasari shkruan edhe për gjeopolitikën, kulturën, letërsinë po se po, në ia pastë ënda mund të shkruajë edhe fabula, – se poezi ka pas shkruar dikur motit, – por e përsëris: ç’lidhje kanë këto me detyrat e atij institucioni që quhet “Bibliotekë Kombëtare” dhe me gjasën që ajo të marrë fonde “për t’i rishkruar nga e para këto tekste historie”, sikurse e paraqet punën zoti Gjini?…. Lexo më shumë në brendësi të librit.

Ndrek Gjini: Zoti Plasari, sinqerisht të falenderoj për këtë replikë. Nuk njihemi personalisht, por për mua ke qenë dhe mbetesh padiskutim kontribues me vlera të jashtëzakonshme në lëmin e shkrimit të një historiografie shkencore. Në opinionin tim më i madhi dhe më i sakti i këtyre 20 viteve të fundit. Unë kam dhjetë vjet që jam larguar nga Shqipëria. Nga këto gjashtë i kam kaluar në bankat e auditorëve si full time student. (Pavarësisht nga mosha, pasi jam 48 vjeç). Nuk e dija që ju jeni drejtor i Bibliotekës Kombëtare. Në shkrim je përmendur si një historian me të vërtetë potencial dhe që njihesh për pikëpamjet e tua perëndimore në shkrimin e historisë. Pra, krejt analogjia në shkrimin tim ka patur për qëllim dy kampet ose dy këndvështrimet e shkrimit të historisë. Njëra, unë sinqerisht mendoj, bolshevikë; e përfaqësuar nga Frashëri, Milo apo Xhufi dhe tjetra Oksidentale; e përfaqësuar nga Ju, Meta apo Marashi.

Nuk kam patur asgjë personale, dhe as që bëhet fjalë se kam patur dijeni rreth mënyrës se si jepen fondet për këto çështje. Shkrimi ka patur për qëllim veç paraqitjen e një platforme se si mund të dilet nga ky rreth vicioz ku është futur shkrimi i historisë. Të gjitha elementet e tjera, “të pamend dhe të papeshuara”, të shkruara nga ana ime nuk kanë patur për qëllim të sulmojnë askënd…. Lexo më shumë në brendësi të librit.

Fatos Tarifa: A nuk e shihni se deri në ç’pikë arrin absurditeti i ndonjë prej atyre, të cilëve kaq shumë “u dhimbset” e vërteta historike? T’ua lëmë këtë të vërtetë shqiptare ta zbulojnë të huajt, sikur shqiptarët të ishin një grumbull fisesh primitive! Nëse ne, shqiptarët, përmes njerëzve tanë të ditur dhe historianëve tanë më të mirë, nuk mund të shkruajmë apo të rishkruajmë dot historinë tonë kombëtare dhe tekstet bazë të saj, si do të mundemi të krijojmë historinë tonë të sotme dhe atë të ardhme. Le t’ua lëmë edhe këto të na i zbulojnë dhe të na i bëjnë të huajt. Le të ngremë duart përpjetë, të dorëzohemi, të biem në gjunjë dhe të lutemi: O historianë të huaj! Ejani merrni “paratë, materialet dhe infrastrukturën” tonë që të na thoni të vërtetën―dhe vetëm të vërtetën―për atë që ne, shqiptarët, kemi bërë këto dy mijë vjet. Ejani t’u thoni të vërtetën brezave të sotëm dhe atyre që do të vijnë, se cilët kanë qenë Skënderbeu, Ismail Qemali, Fan Noli, Luigj Gurakuqi, Ahmet Zogu, Esat Pashë Toptani, Enver Hoxha dhe Sali Berisha… Lexo më shumë në brendësi të librit.

Ndrek Gjini: Nga kjo replikë mësova aq sa më mjafton rreth këndvështrimit tuaj lidhur me historinë. U ndjeva keq. Kjo, pasi mendoja se qëndrimi juaj në Amerikë do t’ua kishte hequr fobinë ndaj të huajve, që brezit tonë i është injektuar forcërisht nga regjimi komunist. Gjuha e artikullit tuaj është patetike, nacionaliste. Prisja diçka tjetër, më moderne, më bashkëkohore, më me ide dhe rrugëzgjidhje. Sinqerisht këto prisja….  Lexo më shumë në brendësi të librit.

________________

Kujt duhet t’ia besojmë shkrimin e historisë sonë?

Kryeministri Sali Berisha në një konferencë të paradokohshme për Ditët e Albanologjisë shprehu përsëri nevojën e rishkrimit të historisë. Thënë më saktë, ai rikonfirmoi domosdoshmërinë për të pasur një tekst realist të historisë së Shqipërisë. Tekst, i cili mund dhe duhet patjetër të jetë jashtë ndikimeve politike, qoftë në trajtimin e këtyre 20 viteve demokraci, ashtu dhe në trajtimin e së shkuarës sonë diktatoriale, monarkike apo dhe asaj koloniale.

Rrethrrotullimi ynë 20-vjeçar

Shqipëria ka njëzet vjet që jeton në demokraci. Po të mos ekzistonin reminishencat e sjelljeve autoritare apo servilizmat ndaj  politikave të çastit, të drejtuesve të institucioneve përgjegjëse për tekstet e historisë, këto dy dekada do të ishin mëse të mjaftueshme për ta zgjidhur përfundimisht këtë çështje. Por kjo çështje fatkeqësisht nuk u zgjidh.

Ne dhe Europa Lindore

Nuk dua të bëj këtu analizën e faktorëve që e kanë penguar këtë proces në Shqipëri. Por, dua të nënvizoj faktin se, shumë shtete të Europës Lindore që e përjetuan regjimin komunist e kanë zgjidhur këtë çështje. Metodat dhe institucionet që u përfshinë në rishkrimin e teksteve të historisë së tyre janë nga më të larmishmet. Nuk është rasti t’i rreshtoj këtu. Por, një gjë është e vërtetë: ato kanë folur më pak se ne për këtë çështje, dhe kanë punuar shumë më shumë se ne. Ndofta ne si reminishencë të së shkuarës kemi sindromën e të folurit shumë dhe të punuarit pak. Po rreshtoj këtu disa mendime sesi mund të zgjidhet kjo çështje.

-A mund të adoptohet në Shqipëri modeli irlandez?

Modeli irlandez mendoj se do të ishte frytdhënës për një vend si Shqipëria. Irlanda ka përjetuar një pushtim gati 700-vjeçar nga Anglia.

Tekstet e historisë se këtij vendi nga vitet 1922-1923 e deri në mesin e viteve 1960 kanë vuajtur nga patetizmat, megalomanitë dhe shabllonizmat në favor të rrymave nacionaliste, apo nga e kundërta e tyre, në mënyrë ekstreme. Sa herë ndërronin partitë në pushtet ndërronin edhe tekstet e historisë, rishkruheshin ngjarjet sipas orekseve të politikës së çastit etj. (bash si në Shqipëri në këto 20 vitet e fundit).

Aty nga mesi i viteve ‘60, Parlamenti mori një vendim, dhe qeveria akordoi fonde, të cilat iu dhanë Universitetit të Oxfordit për të shkruar tekstet e historisë së Irlandës. Këto tekste shërbyen si tekste bazë për shkollat e fillore dhe të mesme, ndërkohë që në shkollat e larta u lejuan dhe lejohen përveç këtyre teksteve edhe tekstet alternative. Por, gjatë gjithë kësaj periudhe, asnjeri nuk pengoi, apo dhe nuk pengon, asnjë historian të majtë apo të djathtë të shkruajë e botojë tekste historie sipas oreksit apo bindjeve që ka.

-Çfarë gjelle mund të na gatuajnë Meta apo Xhufi?

Personalisht, mendoj se Sali Berisha, apo cilido kryeministër shqiptar, do të bënte punën më të mençur po t’i akordonte fondet, materialet dhe infrastrukturën e nevojshme një universiteti prestigjioz në Britaninë e Madhe, Gjermani apo SHBA, për të shkruar tekstet bazë të historisë së Shqipërisë.

E them këtë, pasi kam bindjen më të plotë që, po t’i pajisë Sali Berisha me fonde, materiale dhe infrastrukturë të bollshme institucionet që drejtohen sot nga Beqir Meta, Aurel Plasari apo Ardian Marashi; nesër Edi Rama, apo kushdo tjetër qoftë Kryeministër i së majtës, do të japë prapë fonde të tjera, për po këto institucione, tanimë të drejtuara (le të themi) nga Paskal Milo, Pëllumb Xhufi apo Kristo Frashëri, për t’i rishkruar nga e para këto tekste historie. Dhe kështu, sa herë që do të ndërrohen partitë në pushtet, do të rishkruhen tekstet e historisë së Shqipërisë sipas orekseve të politikës së çastit. Dhe, për fat të keq, ky rishkrim do të prekë jo vetëm kapitujt e historisë së katër apo pesë shekujve të fundit, por do të shtrihet deri në epokën e gurit. Kjo pasi, këta historianë shqiptarë të paguar, dhe me lidhje personale apo farefisnore me politikën qeverisëse, nuk mund të jenë kurrsesi objektivë.

E them këtë pasi, për arsye dhe motive të panumërta, shqiptarët nuk janë çliruar ende nga zelli i të shërbyerit verbërisht dhe as nga vetëmburrja (në kuptimin e asaj që thonë se, “jam unë ai që i di gjërat më mirë se ti„).

-A ka të drejtë Sali Berisha në kërkesën e tij?

Sali Berisha ka plotësisht të drejtë. Shqipëria, si çdo komb tjetër i qytetëruar, e meriton t’i ketë tekstet e historisë së saj të shkruara në mënyrë objektive dhe shkencore. Ndërgjegjja profesionale e historianëve shqiptarë, për njëmijë e një arsye, nuk e ka arritur ende atë stad për t’i shkruar këto tekste me paanësi, dhe larg vesit të të shërbyerit ndaj politikës qeverisëse me pasion dhe verbërisht. Kjo është arsyeja se pse mendoj që adoptimi i modelit irlandez është më i përshtatshmi për momentin aktual.

Ndrek Gjini

________________

Reagime

Po injoroni historianët tanë

Me këto idetë e tua po injorohen historianët tanë të shquar, që kanë dhënë gjithë atë kontribut.

Nuk besoj se do të dalë njeri t’i marrë parasysh këto ide. Ne jemi komb i ditur. Kemi dhënë gjithë atë kontribut në historinë e krejt rajonit. E si mund të lemë ne të tjerët të shkruajnë historinë tonë të lavdishme.

…Pastaj mos harro se historinë e shkruajnë fituesit si gjithmonë e si gjithkund.

 Bashkimi,  Tiranë

Ideja është e qëlluar

Ideja është e qëlluar. Ndoshta e vetmja mundësi praktike për të dalë nga qorrsokaku ku ndodhemi. Shkrimi është jashëzakonisht i mirë.

Nexhmedin Spahiu

Kësaj i thonë që ta nxjerrin kombin tonë për shitje

Po të ecim me mendjen e Ndrek Gjinit dhe atë të Nexhmedin Spahiut i bie që ta nxjerrin kombin tonë për shitje, në pazar e kam fjalën. Pra, ta shesim për hiç gjë krejt luftën dhe gjakun e derdhur për liri nga heronjtë tanë. E çfarë do të shkruajnë të huajt për ne. Dihet se ato do të na i zbehin e mohojnë krejt figurat legjendare të historisë sonë. Kjo gjë u intereson atyre…..mirë është t’i harrojmë njëherë e mirë tezat e Ndrekës dhe Nexhit.

Kadriu, Kosovë

Enverin nuk e harron historia

Kadri, mos u merakos, se Enverin nuk e harron historia. Me shpresë se Nexhi e Gjini dhe shkencat politike kanë me ua dhënë vendin e merituem diktatorit.

Lumo

Kjo çështje duhet parë me mendje të hapur

Të marrim të huajt të na shkruajnë historinë? Kjo është se çfarë sugjeron zoti Gjini! Edhe një herë në dilemë të pranojmë që nuk kemi historianë të mirëfilltë, apo Instituti Albanologjik është i paaftë për ta bërë këtë. Jo, ajo që mendoj se zoti Gjini po na thotë është se të gjithë janë të politizuar, dhe si një qytetar shqiptar që jetoj në Irlandë e kuptoj mirë zotin Gjini, duke parë se si funksionojnë institucionet në Irlandë dhe pavarësinë që kanë. Dhe kur këtu kanë dilema të tilla, gjithmonë ju drejtohen institucioneve të pavarura qofshin ato vendase apo UK, USA ose të tjera kështu që çështjet nuk politizohen, por marrin zgjidhje. Prandaj mendoj që, zoti Gjini ka të drejtë dhe kjo çështje duhet parë me mendje të hapur dhe ta pranojmë që ndonjëherë një i jashtëm nuk ka iteresat e dikujt që është brenda rrethit.

Saimiri, Irlandë

Historia e Shqipërisë është më interesantja për t’u dokumentuar

Historia e Shqipërisë është më interesantja për t’u dokumentuar e si rrjellojë edhe për t’u shkruar. Mbasi çdo kokë shqiptari bën histori më vete. Doni më konkretisht se komentet këtu. Gjini orienton ta shkruajnë të huajt. Të tjerët kërkojnë ta shkruajnë shqiptarët. Kështu që i bie më mirë të krijohet një grup historianësh ndërkombëtarë në unitet me po një grup shqiptarësh dhe të ulen e të shkruajnë historinë. Për shtetin më të vogël të Europës e më të vështirin për t’i shkruar historinë. Autori që arrin suksesin t’i jepet Çmimi Nobel për vështirësi pune. Harxhet e shpenzimeve t’i bëjë qeveria Berisha si më e interesuara për histori.

Zef Kallami

Edhe për këto duhet të marrim anglezë, gjermanë apo grekë…?!

More Ndrek, le t’ia japim N.Hamondit, anglezit tënd të preferuar, që ta shkruajë historinë e Shqipërisë. Që sipas tij, Epiri është grek dhe Shqipërinë ta bëka sa një sanduiç. T’i je i frustuar nga ksenomania, se ke pesë lekë në xhep dhe si nga maja e Olimbit lëshon gjëmime. Ti e njeh kaq mirë Historinë e Shqipërisë sa Profesori i nderuar dhe i respektuar Kristo Frashëri i vë epitetin bolshevik. Njëmijëherë turp, për ty që e mban veten për shqiptar. K.Frashëri edhe pse 90-të vjeç jep kontributin e tij tej modestisë në lëmin e historisë, që më kujton ilirin e Madh, Mbretin Bardhyl, që edhe pse 90-të vjeç lufton mbi kalë. Edhe për këto duhet të marrim anglezë, gjermanë apo grekë…

Gjergji

Histori të mëdha dhe historiçka

I besueshëm ngjan për nga shqetësimi shkrimi i zotit Ndrek Gjini “Kujt duhet t’ia besojmë shkrimin e historisë sonë?” botuar dje në “Mapo”, ku autori jep mend/mendime për mënyrën sesi mund të zgjidhet në Shqipërinë e sotme çështja e shkrimi të një “teksti të historisë” ose edhe të “teksteve të historisë” më në përgjithësi. Çështja ia vlen, vërtet: kujt vallë do të duhet t’ia besojmë shkrimin e historisë kombëtare, të këtij dimensioni jetik për ekzistimin e çdo kombi? Por që shqetësimi të rezultonte vërtet i besueshëm – jo vetëm të ngjante si i tillë – do të lypsej që autori t’i peshonte mirë mendtë/mendimet që ofroi në publik. Ja këtu një rast, ku ato nuk janë peshuar mirë, pa dashur të them që me mendtë/mendimet është abuzuar:

“E them këtë, pasi kam bindjen më të plotë që, po t’i pajisë Sali Berisha me fonde, materiale dhe infrastrukturë të bollshme institucionet që drejtohen sot nga Beqir Meta, Aurel Plasari apo Ardian Marashi; nesër Edi Rama, apo kushdo tjetër qoftë Kryeministër i së majtës, do të japë prapë fonde të tjera, për po këto institucione, tanimë të drejtuara (le të themi) nga Paskal Milo, Pëllumb Xhufi apo Kristo Frashëri, për t’i rishkruar nga e para këto tekste historie. Dhe kështu, sa herë që do të ndërrohen partitë në pushtet, do të rishkruhen tekstet e historisë së Shqipërisë sipas orekseve të politikës së çastit”.

Në ndryshim nga institucionet që drejtojnë zoti Beqir Meta (Instituti i Historisë) dhe Ardian Marashi (Qendra e Studimeve e Albanologjisë), institucioni që drejton Aurel Plasari, pra Biblioteka Kombëtare, nuk ka pasur, as ka dhe as që do të ketë ndonjëherë detyrën për të shkruar – qoftë edhe rishkruar – “tekstet e historisë”. Madje, asnjë bibliotekë kombëtare e modelit tradicional europian, që ka riprodhuar edhe BKSH qysh prej themelimit të saj më 1920, nuk mbart kurrfarë detyre të tillë: kjo është si një e një që bëjnë dy. Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë ka detyra funksionale të përcaktuara me bazë të qartë ligjore: Ligji Nr. 8576, datë 3.2.2000 “Për bibliotekat në Republikën e Shqipërisë”; Ligji Nr. 9217, datë 8.4.2004 Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr. 8576, datë 03.02.2000 “Për bibliotekat në Republikën e Shqipërisë”; Ligji Nr. 9616, datë 27.9.2006 “Për librin në Republikën e Shqipërisë”; Ligji Nr. 9380, datë 28.04.2005 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me të”; Rregullore e Funksionimit të Agjencisë Kombëtare të Standardizimit të Botimeve të Librit; Ligji Nr. 9048, datë 7.4.2003 “Për Trashëgiminë Kulturore”; Ligji Nr. 9592, datë 27.7.2006 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr. 9048, datë 07.04.2003 “Për Trashëgiminë Kulturore”. Një institucion i këtillë, ku kontribuojnë specialistë të shkencës së bibliotekave (bibliotekonomisë), si klasifikatorë, bibliografë etj., të cilët përpunojnë dhe shërbejnë materiale nga të gjitha fushat e dijes, prej shkencave ekzakte tek ato humanistike, ç’hyn ndërmes institucioneve të ngarkuara për shkrimin – ose rishkrimin – e “teksteve të historisë”, të cilat mund t’u pajiseshin nga zoti Sali Berisha me “fonde” për qëllime si ato që përmend autori i shkrimit?

Meqë në shkrimin në fjalë flitet si do kudo edhe për 100-vjetorin e Pavarësisë, ja ku po kujtoj që Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë do të kontribuojë për celebrimin e tij për së shpejti nëpërmjet veprës monumentale bibliografike: “Albanica. Të huajt për shqiptarët dhe Shqipërinë (1474-1912)”, pjesë e detyrave të saj funksionale, punë e filluar qysh në vitet ’60 të shekullit të kaluar nga emra të nderuar të bibliotekonomisë shqiptare, si Aldo Çoba, Zef Prela etj. Bibliografia, po dihet: nuk është veçse njëra nga degët e bibliotekonomisë. Dhe, që ta dijë si autori i shkrimit nj’ashtu edhe ndonjë takëm që mund të gabohet si ai, këtë seri botimesh do ta vijonte edhe z. Pëllumb Xhufi po të vinte në drejtim të Bibliotekës Kombëtare, sikurse autori i shkrimit e hamendon. Madje, në një gjasë të tillë, guxoj të sfidoj, duke siguruar që as zoti Xhufi për çështje të bibliotekonomisë nuk do të marrë “mësime historie”, si edhe as “mësime bibliotekonomie”, nga zoti Edi Rama, kryeministër i hamenduar nga zoti Gjini.

Ndoshta autorin e shkrimit e ka shtënë në lajthim dëshira për të përfshirë në listing Aurel Plasarin, drejtor i Bibliotekës Kombëtare, të cilit i shkon për dore të shkruajë edhe ese ose libra që kanë të bëjnë me historinë. Por ç’lidhje ka kjo me gjasën që Biblioteka Kombëtare të llogaritet mes institucioneve që kanë detyrë shkrimin – ose rishkrimin – e “teksteve të historisë”? Plasari shkruan edhe për gjeopolitikën, kulturën, letërsinë po se po, në ia pastë ënda mund të shkruajë edhe fabula, – se poezi ka pas shkruar dikur motit, – por e përsëris: ç’lidhje kanë këto me detyrat e atij institucioni që quhet “Bibliotekë Kombëtare” dhe me gjasën që ajo të marrë fonde “për t’i rishkruar nga e para këto tekste historie”, sikurse e paraqet punën  zoti Gjini?

Për ç’u përket shkrimeve të Aurel Plasarit që kanë të bëjnë me historinë, në ndryshim nga disa emra që përmend zoti Gjini dhe që janë paguar ose paguhen sot si historianë për të shkruar – rishkruar – pikërisht “tekstet e historisë”, Plasari nuk është paguar asnjëherë për një detyrë të tillë. As i është dhënë ndonjëherë mundësia dhe/ose komoditeti të jetë i punësuar, pra edhe i paguar, për të shkruar “tekste të historisë”. Pa dashur të cenoj asnjërin nga kolegët për zgjedhjen e tyre, po kujtoj edhe se Plasari nuk e ka kërkuar asnjëherë ndonjë detyrë të tillë, në të cilën të paguhej pikërisht për atë që shqetësohet autori i shkrimit. Çështjen e të paguarit detyrohem ta përmend këtu pa dëshirë, vetëm sepse “fondet” rezultojnë njëri nga shqetësimet e autorit të shkrimit në fjalë, dhe kjo nuk është për të vënë buzën në gaz.

Plasari ka shkruar, për shembull: një ese për historinë e Shqipërisë më 1992 pa u parapaguar prej askujt dhe duke u mbështetur në botim nga “Hylli i Dritës”; një punim për Voskopojën më 1998 pa u parapaguar prej askujt dhe duke u mbështetur në botim nga Fondacioni “Shoqëri e hapur për Shqipërinë”; një histori politike të Skënderbeut pa u parapaguar prej askujt dhe duke u mbështetur në botim më 2010 nga Instituti i Studimeve shqiptare “Gjergj Fishta” etj. As zoti Berisha, as zoti Rama nuk kanë pasur kurrfarë dinjiteti të më ndihmonin për to dhe autori i tyre nuk ua di as për keq, as për mirë.

Çfarë ngre më shumë peshë se këto “historiçka” në rrahjen  e mendjeve/mendimeve për shkrimin dhe rishkrimin e historisë është diçka tjetër. Idetë për nevojën e rishkrimit të historisë së Shqipërisë, Aurel Plasari i ka shfaqur qysh në një shkrim të vitit 1992, pra, ndoshta njëri ndër më të hershmit me t’u krijuar kushtet e shprehjes së mendjeve/mendimeve në liri. Ja, për shembull, se ç’ka shkruar këtu e njëzet vjet më parë në mënyrë modeste – modeste ngase deri atëherë nuk i kishte pasur mundësitë për ndonjë MA, as në “Universitetin Kombëtar të Gallway-Irlandës”, as tjetërkundi:

“Në historinë e popujve, fuqitë e papërballueshme punojnë fshehurazi, si vatra sizmike në fundin e detit. Zgjidhja e ofruar për një problem historik të dhënë pushon së qeni e tillë prej çastit, kur modifikohen metodat dhe prej çastit, kur kompetenca e historianëve ndryshon. Si pasojë e këtyre shndërrimeve të vazhdueshme, sado të parëndësishme t’u duken ato vrojtuesve të përciptë, çdo breznie të re i duhet ta rilexojë e ta rishkruajë historinë pas mënyrës së vet, pa pasur frikë prej çmitizimeve, madje, duke i parapëlqyer ato: sa më mirë ta njohim historinë e vendit, aq më shumë do ta duam atë. Duke mos u kënaqur vetëm me dhënien përgjigje të reja për pyetjet e vjetra, duhen rishikuar edhe vetë pyetjet. Ky nuk është një argument në favor të “skepticizmit historik”: është fjala thjesht për zbulimin e një “dimensioni të dytë” të mendimit historik” (“Hylli i Dritës”, nr. 3/ 1993, f. 61).

As zoti Ramiz Alia i asokohe dhe as zoti Sali Berisha i sotëm “në një konferencë të paradokohshme për Ditët e Albanologjisë”, siç përmend autori i shkrimit, nuk e kanë pasë ndikuar Aurel Plasarin për këto ide, as me “fonde”, jo më me gjë tjetër. Dhe, duke qenë se atij i ka qëlluar të punojë jo vetëm me zotin Berisha Kryeministër, por edhe me kryeministra të tjerë, si zotërinjtë Fatos Nano, Ilir Meta, Pandeli Majko, e drejta  do të tregojë se as edhe një herë – në asnjërën prej mënyrave të ngjashme – asnjëri nga këta kryeministra nuk ka shfaqur ndonjë interes për të ndikuar në idetë e shprehura në shkrimet dhe/ose librat e Plasarit, që kanë të bëjnë me historinë. Kanë ndikuar në to – po – emra të tjerë, si Collingwood, Froude, Simmel, Nordau, Graham etj., veçan një Edward E. Carr, – këtij zoti Gjini mund t’ia njohë leksionet, – dhe të cilët edhe i ka cituar hera-herës së paku deri në vitin 2010, kur te “Skënderbeu – një histori politike” tezën për nevojën e rishkrimit të historisë, Plasari e ka përsëritur si vijon, pa pasur nevojë për “fonde” dhe/ose “mësime historie” as nga Kryeministri, as nga miku i tij i opozitës:

“Nëse historia në përgjithësi lypset rishkruar kohë më kohë, kjo nuk ndodh thjesht e vetëm prej zbulimit të ‘të dhënave’ të reja. Kultura e një kombi ndryshon. Bashkë me të, konceptet zotëruese në kulturë ndryshojnë edhe ato. Pikëpamje të reja shfaqen domosdo, për të përfshirë, për të vlerësuar dhe për të renduar ‘të dhënat’. Bashkëkohësit e një epoke në zhvillim progresiv mbërrijnë në pikën e pamjes nga e cila mund të rishikohet dhe të rivlerësohet e kaluara në një modalitet të ri: edhe atëherë historia rishkruhet” (“Hyrje”, f. 9).

Për këto arsye nuk mund ta kuptoj se përse në shkrimin “Kujt duhet t’ia besojmë shkrimin e historisë sonë?” ndër institucionet e ngarkuara me detyrën e shkrimit – ose të rishikimit – të “teksteve të historisë” janë shkartisur Biblioteka Kombëtare dhe drejtori i saj Aurel Plasari. Janë arsye që mendoj se autori i shkrimit do të duhej t’i kishte ditur, prandaj them me njerëzi se ka gabuar. Përndryshe, nëse i ka ditur dhe është orvatur ta paraqesë të drejtën për të shtrembër, të gjitha palët do të binim në nivelin e “zuzarëve të shtypit”. 

Aurel Plasari

________________

Reagime

Një kockë po zihet në tenxheren e shtypit

Soji i Ndrek Gjinit nuk mund të kuptojë, se intelektualë si zoti “Plasari” janë vërtet vlera dhe thesare për vendin tonë………Ai shqetësohet për të krijuar një imazh për të nesërmen, se kushedi (mos e thëntë “Zoti”, Edi Rama mund të vijë në pushtet e një kockë për Ndrekën duhet të zihet në tenxheren e shtypit prej sot…………

Hajri Shehu

________________

Nuk kam asgjë personale me askënd

Zoti Plasari, Sinqerisht të falënderoj për këtë replikë. Nuk njihemi personalisht, por për mua ke qenë dhe mbetesh pa diskutim kontribues me vlera të jashtëzakonshme në lëmin e shkrimit të një historiografie shkencore. Në opinionin tim më i madhi dhe më i sakti i këtyre 20 viteve të fundit. Unë kam dhjetë vjet që jam larguar nga Shqipëria. Nga këto, gjashtë i kam kaluar në bankat e auditoreve si full time student. (Pavarësisht nga mosha, pasi jam 48 vjeç). Nuk e dija që ju jeni drejtor i Bibliotekës Kombëtare. Në shkrim je përmendur si një historian me të vërtetë potencial dhe që njihesh për pikëpamjet e tua perëndimore në shkrimin e historisë. Pra, krejt analogjia në shkrimin tim ka patur për qëllim dy kampet ose dy këndvështrimet e shkrimit të historisë. Njëra, unë sinqerisht mendoj, bolshevike; e përfaqësuar nga Frashëri, Milo apo Xhufi dhe tjetra Oksidentale; e përfaqësuar Ju, Meta apo Marashi.

Nuk kam patur asgjë personale, dhe as që bëhet fjalë se kam patur dijeni rreth mënyrës se si jepen fondet për këto çështje. Shkrimi ka patur për qëllim veç paraqitjen e një platforme se si mund të dilet nga ky rreth vicioz ku është futur shkrimi i historisë. Të gjitha elementët e tjera, “të pamend dhe të papërshkuara”, të shkruara nga ana ime nuk kanë patur për qëllim të sulmojnë askënd.

Me respekt

Ndrek Gjini

Ai e ka bërë zgjidhjen e tij që para 20 vitesh

O zoti Hajri Shehu, dua të të them veç diçka. Unë njoh mirë Ndrek Gjinin. Ai e ka bërë zgjidhjen e tij që para 20 vitesh dhe nuk e ka lënë për vitin 2012. Ai, jo Edi Rama, por sikur i vëllai i tij (i Ndrekës pra) të bëhet kryeministër i qeverisë së PS-së nuk pranon të marrë post prej tij dhe asaj partie. Ndrek Gjini ka mbaruar punë me kohë me kockat dhe tenxheret e shtypit shqiptar që përmend ti. Ai jep mësim në universitet në Irlandë dhe mos u tremb se nuk e ka ndërmend të kthehet të të zërë vendin.

Fatmiri, Gjermani

Replikë justifikuese… absurd

Kot e ka bërë Ndrek Gjini replikën justifikuese, sepse ato që ka ngritur si probleme për përpilimin e historisë qendrojnë dhe njerëz tipikë servilë e inkopetentë si Plasari, Meta apo Marashi, janë të gatshëm të bëjnë atë që do Berisha, duke e nxjerrë atë si njeriun më të veçantë që ka parë historia e Shqipërisë, si një lider partie dhe udhëheqës më të madh në botë, kur në fakt një njeri që flet gjithnjë me superlativa, nuk është gjë tjetër veçse një absurd, një idiot i vërtetë.

Saimiri, Durrës

Duhet më shumë informcaion për një çështje kaq të madhe

O Ndrek, po informohu he burrë i dheut para se me fillu e me shkrue, për ma së tepri për një çështje kaq madhore sa ç’asht historia e kombit.

Korb Uka

Firmosja e peticioneve të turpit është gabim

Nuk e di kush është Ndrek Gjini, por di kush është Plasari, i cili drejton një institucion kombëtar që për turpin e tij është vënë disa herë në pozicionin e jeniçerit të Saliut. Kjo mendoj e ka çuar Gjinin në atë konkluzion. Plasari si drejtues i një institucioni të nderuar si Biblioteka Kombëtare, nuk e kishte për detyrë t’i kundërvihej opozitës, duke firmosur peticionin e turpit si në kohën e Enver Hoxhës.

Trimi, Paris

Nuk do të isha tepër krenar me qenë historian

E lexova me shumë kënaqësi shkrimin e zotni Ndrek Gjinit edhe komentin e tij sot, i nderuem qofsh zotni dhe Zoti ta priftë mbarë!

Sa për “replikën” e zotit Plasari do të kishte ba mirë me pritun mëngjesin, sepse duket se e ka shkru në darkë!

N’përgjithësi mund të them thjesht si njeri: sot nuk do të isha tepër krenar me qenë historian (edhe i famshëm) në Shqipëri! Por me të thanë të drejtën nuk do të isha krenar me qenë as doktor, gjykatës ose prokuror nuk do të isha krenar edhe sikur të isha mësues, profesor, polic, oficer, diplomat, doganier (!) …. apo ku di unë (m’falni nqs harrova ndonjë profesion)!

Artur Rajta

________________

Çështja e ngritur provokon diskutim

Ndrek, e lexova shkrimin tënd. Më duket interesant në kuptimin se provokon diskutim dhe diskutimi është i nevojshëm për një temë si kjo. Të huajt kanë shkruar, ç’është e vërteta, për shqiptarët dhe historinë e tyre, edhe pa qenë nevoja të subvencionohen nga shqiptarët apo nga shteti shqiptar. Unë për vete nuk kam ndonjë paragjykim, mund të jetë historian shqiptar apo i huaj. Mjafton ta shkruajë historinë me fakte dhe me logjikë të ftohtë. Ti ke të drejtë se emrat që përmend janë partizane dhe jo historianë. Por unë mendoj se, megjithatë, ndonëse të paktë, ka edhe në Shqipëri historianë të mirë që mund të krahasohen me historianët e botës dhe që shkruajnë histori jo më keq se ata. Po ngaqë historia tek ne sa ç’është histori, është në të njëjtën kohë edhe realitet, prandaj pothuajse e kanë të vështirë historianët ta shkruajnë historinë. Duhet të kenë kockë të fortë ta shkruajnë. Rexhep Qosja e quan ‘97-ën “Revolucion demokratik të vonuar”. Ti dhe unë e quajmë “Rebelim të armatosur bolshevik komunistësh”. Tani, ne mund të themi çfarë të duam për Rexhep Qosen, por nuk mund ta neglizhojmë atë çfarë thotë ai, se nuk është mullixhiu i katundit, por është akademik. A ka të drejtë ai në definicionin që jep për ‘97-ën? Absulutisht nuk ka. Eshtë mashtrues dhe bie në nivelin e një partizani të rëndomtë, të një fanatiku të rëndomtë. Edhe unë e ti mbajmë një anë në cilësimin tonë për 1997-ën, por nëse nuk na jep të drejtë Pëllumb Xhufi, apo disa të tjerë në konkluzionin tonë, kjo nuk do të thotë se ne nuk e kemi çmuar drejt historikisht atë vit.

Që të mos e zgjas, unë mendoj se tani për tani ne do të jemi të detyruar të lexojmë variante të ndryshme të historisë dhe pastaj secili bën zgjedhjen e vet.

Ndoshta do të duhet të kalojë edhe më shumë kohë që shqiptarët të qytetërohen edhe më shumë dhe të bëhen esëll ta çmojnë historinë e tyre njësoj si kombet e tjerë.

Samiu, USA

Plasari ka ngelur pak lokalist

Më pëlqeu shkrimi i zotit Gjini dhe mendoj se ishte një shkrim i përpiluar në mënyrën më intelektuale dhe me një mendje të hapur kundrejt temës që trajtonte. Në trajtimin e tij të kujdesshëm pa u munduar që të diktojë mendimin e tij tek lexuesi, por thjesht duke hedhur një mendim ose më mirë një shqetësim të tij sikur të ishte një bashkëbisedim.

Më vjen keq për reagimin e menjëhershëm me një shkrim justifikues dhe me shumë klor të zotit Plasari.

Me gjithë respektin për zotin Plasari, por mendoj se ka ngelur pak lokalist dhe e ka akoma atë instinktin e vetëmbrojtjes edhe kur nuk është nevoja sapo t’i përmendet emri.

I them zotit Shehu, që duhet t’i kërkosh një falje të madhe zotit Gjini, duke të rikujtuar jo çdo gjë lidhet me politikë dhe me emra të përveçëm.

Me respekte

Ladi, USA

________________

T’ua lëmë të huajve të gatuajnë ushqimin në shtëpinë tonë?!

Afrimi i përvjetorit të 100-të të pavarësisë së shtetit shqiptar duket se ka frymëzuar shumë njerëz, historianë dhe jo të tillë, shqiptarë dhe të huaj, njerëz të ditur dhe të paditur, njerëz të virtytshëm dhe sharlatanë të çdo lloji që të argumentojnë se, përse historia e Shqipërisë duhet revizionuar dhe rishkruar. Mbi këtë subjekt të rëndësishëm, sot mund të dëgjosh dhe të lexosh gjithçka, që nga gjykimet dhe arsyetimet e informuara dhe konstruktive të disa prej historianëve dhe intelektualëve tanë më të mirë, deri tek fantazitë dhe përçartjet e atyre, të cilët padija i shtyn në absurditet dhe, ndonjëherë, në një narcizizëm të pështirosur. Kohët e fundit kam konstatuar disa raste të tilla, por më poshtë dëshiroj të ndalem vetëm në njërin prej tyre.

Pardje, gazeta “MAPO” botoi një koment me titull “Kujt duhet t’ia besojmë shkrimin e historisë sonë?” Nuk do t’ia vlente të merresha me këtë koment, nëse përmbajtja e tij nuk do të kishte të bënte pikërisht me një temë kaq të rëndësishme, siç është trajtimi i historisë sonë kombëtare dhe nevoja për rishkrimin e saj. Kohë të reja mund të zbulojnë fakte të reja historike dhe faktet e reja mund të bëjnë të domosdoshme rivlerësimin dhe rishkrimin e historisë së një populli. Por që dikush, nisur nga konsiderata ekstra akademike, të pretendojë se historia duhet doemos të rishkruhet, pa zbuluar dhe pa sjellë ai vetë, ose studiues të tjerë, asnjë fakt të ri që do të përgënjeshtronte trajtimin e derisotëm të ngjarjeve apo të periudhave të caktuara historike, kjo do të ishte një marrëzi dhe një aventurë, së cilës çdo popull dhe çdo historian i mençur do t’i shmangeshin. Historia e Shqipërisë, veçanërisht historia e periudhës moderne të saj, natyrisht mund të rivlerësohen dhe të rishkruhen, por vetëm mbi bazën e fakteve të reja, të dokumentuara përtej çdo dyshimi. Për historinë, dokumentet kanë po atë vlerë dhe rëndësi që kanë faktet empirike në shkencat natyrore dhe ato shoqërore. Të rishkruash historinë e një populli është një pretendim i jashtëzakonshëm dhe, nëse perifrazojmë filozofin e shquar David Hume, pretendimet e jashtëzakonshme kërkojnë dokumentacion të jashtëzakonshëm.

Komenti i botuar pardje në këtë gazetë, nuk është shkruar nga një historian, pra, nga dikush që i njeh mirë historinë e Shqipërisë dhe debatin që zhvillohet për rishkrimin e saj dhe, natyrisht është shterp në fakte dhe argumente. Por, sa absurd tingëllon propozimi që bëhet në këtë koment: qeveria shqiptare “do të bënte punën më të mençur po t’ia kalonte fondet, materialet dhe infrastrukturën e nevojshme (për të shkruar tekstet bazë të historisë së Shqipërisë) një universiteti prestigjioz në Britaninë e Madhe apo në SHBA”, pasi “ndërgjegjja profesionale e historianëve shqiptarë” nuk i lejon ata ta kryejnë këtë detyrë. Shkurt, qeverisë shqiptare i propozohet: mbylli institutet e historisë në vend dhe largoi nga puna, ose nxirri në pension historianët shqiptarë. Në vend të tyre punëso historianë të huaj dhe hap kurse për t’u mësuar atyre, së pari, gjuhën shqipe, pastaj historinë mijëravjeçare të popullit shqiptar, (por cilën histori dhe të shkruar prej kujt?), pastaj mundësoju atyre të njohin, të kuptojnë dhe të çmojnë kulturën materiale dhe shpirtërore të këtij populli, vlerat, normat dhe traditat e tij. Ky propozim absurd mund të vijonte më tej edhe me një tjetër: mbylli universitetet shqiptare, hidhi në rrugë ata studentë që fushë studimi kanë zgjedhur historinë, sepse edhe këta, si paraardhësit dhe profesorët e tyre, do të formohen me të njëjtën “ndërgjegje profesionale” që do i bënte ata “të njëanshëm” dhe “verbërisht pasionantë”. Më tej akoma, stop studimeve historike në vendin tonë dhe le t’i shkruajnë disertacionet mbi historinë e vjetër dhe moderne të Shqipërisë studentët gjermanë, austriakë, anglezë, amerikanë dhe pse jo, edhe ata japonezë, për shkak se këta nuk e vuajnë sindromin e “pasionit të verbër” ndaj politikës shqiptare.

A nuk e shihni se, deri në ç’pikë arrin absurditeti i ndonjë prej atyre, të cilëve kaq shumë “u dhimbset” e vërteta historike? T’ua lëmë këtë të vërtetë shqiptare ta zbulojnë të huajt, sikur shqiptarët të ishin një grumbull fisesh primitive! Nëse ne, shqiptarët, përmes njerëzve tanë të ditur dhe historianëve tanë më të mirë, nuk mund të shkruajmë apo të rishkruajmë dot historinë tonë kombëtare dhe tekstet bazë të saj, si do të mundemi të krijojmë historinë tonë të sotme dhe atë të ardhme. Le t’ua lëmë edhe këto të na i zbulojnë dhe të na i bëjnë të huajt. Le të ngremë duart përpjetë, të dorëzohemi, të biem në gjunjë dhe të lutemi: O historianë të huaj! Ejani merrni “paratë, materialet dhe infrastrukturën” tonë që të na thoni të vërtetën-dhe vetëm të vërtetën-për atë që ne, shqiptarët, kemi bërë këto dy mijë vjet. Ejani t’u thoni të vërtetën brezave të sotëm dhe atyre që do të vijnë, se cilët kanë qenë Skënderbeu, Ismail Qemali, Fan Noli, Luigj Gurakuqi, Ahmet Zogu, Esat Pashë Toptani, Enver Hoxha dhe Sali Berisha. Ejani, ejani, siç kanë ardhur këto vitet e fundit Oliver Jens Schmitt, që të na thotë të vërtetën për Heroin tonë Kombëtar, Skënderbeun; Bernd Fischer, që të na thotë se ç’ishte sundimi otoman në Shqipëri, cili ishte Mbreti Zog dhe ç’përfaqësonte lufta antifashiste e popullit tonë; Kazuhiko Jamamoto, që të na shpjegojë të drejtën zakonore shqiptare, apo Robert Elsie që, siç premtoi publikisht këto ditë në Tiranë, të shkruajë historinë e Shqipërisë!

Ejani të na mësoni, gjithashtu, se si ne, shqiptarët, do të duhet ta krijojmë këtej e tutje historinë tonë. Se ne vetë nuk dimë ç’ka ndodhur deri më sot në këtë vend dhe, prandaj, nuk dimë të nxjerrim mësime nga historia jonë, që të mos përsërisim më gabimet e së kaluarës! Latinët do të thoshin: Sapere aude! (Guxo të jesh i mençur).

Fatos Tarifa

________________ 

Reagime

Fobia e Tarifës ndaj të huajve

Zoti Tarifa, e lexova replikën tënde dhe sinqerisht të falenderoj. Nuk njihemi personalisht. Ka ndjekur nga larg veprimtarinë tënde diplomatike. Kam lexuar me interes disa botime tuat në anglisht. Janë me të vërtetë shumë të arrira, dhe të përgëzoj për këtë. Sinqerisht nuk i kam lexuar artikujt tuaj më parë në shtypin shqiptar, dhe deri sot në mëngjes nuk kisha dijeni rreth pozicionit tuaj aktual administrativ apo akademik.

Nga kjo replikë mësova aq sa më mjafton rreth këndvështrimit tënd lidhur me historinë. U ndjeva keq. Kjo, pasi mendoja se qëndrimi juaj në Amerikë ta kishte hequr fobinë ndaj të huajve që brezit tonë i është injektuar forcërisht nga regjimi komunist.

Gjuha e këtij artikulli është patetike nacionaliste. Prisja diçka tjetër më moderne, më bashkëkohore, me më ide dhe rrugëzgjidhje. Sinqerisht këto prisja.

Nuk kam përmendur në shkrimin tim as mbyllje akademish, as nxjerrje në penson të historianëve, as mbyllje universitetesh. Biles kam thënë që çdo kush mund të botojë tekste historie aleternative dhe ato të mësohen në universitete. Por tekstet bazë, ato të arsimit 9-vjeçar dhe të mesëm duhen bërë me kujdes dhe jashtë korenteve politike. Kjo është domosdoshmëri. Le të flasim konkretisht. Ngjarjet e 1997…. Rexhep Qose i quan “Revolucion demokratik i vonuar….. „.Unë nuk jam historian dhe nuk pretendoj të jem i tillë. Personalisht ato ngjarje i quaj rebelim i dhunshëm komunist. Ju çfarë etiketimi u vini atyre ngjarjeve? Po Plasari, Xhufi apo Meta? Të gjithë janë historianë të shkëlqyer dhe mendoj se kanë mendime krejt të ndryshme nga njëri-tjetri rreth etiketimit të këtyre ngjarjeve. Sinqerisht nuk kam dijeni se çfarë etiketimi u kanë vënë këtyre ngjarjeve në tekstet shkollore bazë, pasi nuk i kam parë.

Në çdo ngërç politik kanë qenë të huajt që na kanë dhënë ndihmën e tyre. Dhe ne e kemi pranuar….e në fund nuk na ka dalë keq. Unë personalisht mendoj se jemi në ngërç përsa u përket teksteve bazë të historisë….. e pse të mos e pranojmë edhe për këtë çështje ndihmën dhe konsulencën e të huajve.

Kjo fobi ndaj të huajve nuk shëron. Patetizmat patriotike mendoj se janë jashtë kohe. Shqipëria dhe Ballkani në përgjithësi duan t’i bashkohen Europës. Bashkëpunimi, ndihma dhe konsulenca e Evropës janë për mendimin tim të vetmet ilaçe për të na shëruar nga fobitë dhe vetmburrjet nacionale.

Me respekt

Ndrek Gjini

________________

Të nderojmë Ahmet Zogun apo Bajram Currin?

O zotni Fatosi, po pse bre burrë si mendon ti. Duke e shkruar vetë ne historinë tonë i bie që t’i themi vetes se jemi më të vjetrit në Evropë, më të civilizuarit, më të mençurit, më trimat, më luftëtarët… Nuk është hiç e drejtë t’u mësojmë fëmijëve tanë përralla të tilla folklorike si ato të kohës së Enverit. Fryma e shkrimit tënd lë shumë për të dëshiruar.

Kjo puna e historisë është si puna e shtëpisë.

Një udhëtar e kishte zënë nata. Takon njërin dhe e pyet si me takt, pasi donte të ia zinte derën për të fjetur një familje të mirë. Dhe e pyet. Kush është familja më e mirë në këtë fshat. Ai i përgjigjet. Shtëpia ime. Mirë, mirë i thotë ai po pas jush, pas shtëpisë tënde kush vjen. Thonë për familjen e tim vëllai, përgjigjet ai. Kaq objektiv mund të jemi ne me vetveten në shkrimin e historisë tonë. Mendoj se, Ndrek Gjini ka të drejtë. Nuk mundet që në 2012 t’u mësojmë më fëmijëve përralla me heronj të rremë. Psh Bajram Curri. T’i thua ishte hero. Por u vetvra në shpellë si një kaçak mali, duke u rezistuar forcave të shtetit legjitim të Ahmet Zogut, që ishte zgjedhur me votën e popullit. Cili duhet nderuar në këtë rast, Zogu apo Bajram Curri.

Lutfiu

Duhen ide se si duhet zgjidhur ky shqetësim serioz jo retorikë

E nderoj dhe e respektoj Tarifën për potencialin dhe kontributin e tij në fushën e sociologjisë. Nuk dua ta paragjykoj atë për faktin, se është i biri i ish-sekretarit personal të Enver Hoxhës dhe as për shpifjet kundër tij kur ishte ambasador këtu në USA.

Por stili i të shkruarit, toni dhe fjalët që përdor ai e replikën e tij me zotin Ndrek Gjini bie erë retorikë tipike nacional bolshevike. Eshtë vërtetë për të ardhur keq. Gjini parashtron një platformë. Ashtu siç e mendon ai. Dhe t’i Fatos duhej t’i përgjigjeshe atij konkretisht rreth gabimeve sipas teje në këtë platformë dhe të jepje idetë e tua si duhet zgjidhur ky shqetësim serioz.

Bashkimi, US

Ka akoma shokë që i mbrojnë me forcë idealet tona

Zoti Fatos, përshëndetje! E lexova shkrimin tuaj, ju lumtë më në fund doli një shok që e ngre zërin për ruajtjen e paprekshmërisë së historisë të PPSH. Kishte kohë që nuk e kisha parë një shkrim të tillë që e dërrmon social-imperializmin perëndimor. Më mallëngjeve kur pashë se ka shokë që i mbrojnë akoma me forcë idealet e partisë dhe të komandantit tonë legjendar. Shpresojmë që të ketë akoma shokë të tillë që të shkruajnë dhe një herë historinë e atdheut tonë të dashur.

Me respekt

Enveri, Përmet

Kjo punë është si ai humori i Cekes së Beratit

Zoti Tarifa na tregone se, Shqipëria ka universitete shumë të mira me historianë shumë të mirë dhe me studentë e akademikë të përgatitur dhe meqenëse i ka të gjitha këto, besoje se i ka dhe kushtet për të bërë dhe kërkime.

Kjo më duket si ai humori me Ceken e Beratit, që i thoshte mësuesja se vendi më i bukur me lodra më shumë, me çokollata më të mira, me rroba më të bukura, është Shqipëria, dhe ai filloi të qante dhe tha dua të vete në Shqipëri.

Të them të drejtën nuk e dija që keni qenë ambasador, por e mësova nga komenti i mësipërm, ambasadorët e kanë për detyrë që tia ngrenë emrin vendit të tyre në takim e me të huajt, sepse ashtu e do protokolli.

Mirëpo edhe kjo më duket si ata shqiptarët e Himarës, që për disa interesa thoshin që jam grek, jam grek dhe duke e thënë kaq shumë herë, ata filluan ta besojnë edhe vetë.

Shqipëria që t’i përshkran në shkrimin tënd me institucione që mund t’i marrin përsipër vetë çështjet është Shqipëria që shpresojmë ta kemi, por deri atëherë le të gjejmë një zgjidhje tjetër.

Saimiri, Irlandë

Stili revolucionar i të shprehurit është jashtë kohe

Zoti Fatos! Pasi lexova këtë shkrim tendin, i cili më bëri përshtypje për nga stili revolucionar i të shprehurit, nisa të kërkoj në google për të mësuar diçka më tepër rreth jush. Mësova rreth postit që mban në Universitetin Europian të Tiranës. Dhe thashë me vehte. Endrra më e madhe e këtij njeriu është të ia kthej këtij Universiteti prestigjioz emrin nga UET në Shkolla e Lartë e Partisë, Vladimir Iliç Lenin nga ku dhe ka nisur karriera juaj si pedagog. Por, për të qenë më bashkëkohor t’i (po të ishte në dorën tënde do ia vije emrin këtij universiteti, Universiteti Koerano Verior i Tiranës.

Këtë lexoj unë në mes radhëve të kësaj replike me zotin Ndrek Gjini.

Me keqardhje.

Roberti, Itali

Kush ka më shumë informacion për 1997 Qosja apo Gjini?

Zoti Tarifa! Nuk e njoh personalisht zotin Ndrek Gjini. As Ju gjithashtu. E lexova shkrimin e Gjinit dhe m’u duk interesant për nga idetë që përcillte. E parandjeva atë se do të kishte reagime, pasi nuk jemi mësuar të na i thonë gjërat kaq troç. E lexova replikën e Plasarit lidhur me këtë shkrim. Ai kishte të drejtë. Emri i tij ishte përmendur pak si pa vend në atë shkrim, (në kuptimin e drejtuesit të një institucioni) Si historian edhe mund të justifikohej përmendja e emrit të tij. Reagimi i Plasarit me mend dhe me vend. Por, fatkeqësisht nuk mund të them të njëjtat fjalë për replikën tënde. Ajo përmban jo vetëm një këndvështrim bolshevik në shikimin dhe vlerësimin e çështjes, por dhe gjuha dhe stili janë të tillë.

E lexova dhe replikën e Ndrek Gjinit me Ju. I them të tregohet më i kujdesshëm me gabimet gramatikore. Kaq. Të tjerat ishin me vend.

Ndreka flet konkretisht dhe të pyet ty dhe jo vetëm ty, por dhe disa historianë të tjerë të shkëlqyer të Shqipërisë. A keni mendime të njëjta lidhur me ngjarjet e 1997-ës. Kuptohet që jo. Po të ishe t’i kyetar i komisionit për shkrimin e kapitullit të historisë që përfshijnë këto vite do ta shkruaje ndryshe nga Plasari, apo Xhufi. Dokumentet janë të njëjta. Botëformimi i ndryshëm. T’i përmendje ca filozofë dhe flisje për fakte e dokumente. Po ashtu është. Por, le t’i kthehemi çështjes. Kush ka patur më shumë prova, fakte dhe dokumente në dorë apo dhe parë me sytë e tij se çfarë ka ndodhur në 1997; Ndrek Gjini, i cili ka qenë zëdhënës i Ministrisë së Brendshme në atë kohë, dhe me shoferin dhe kameramanin e tij kanë bredhur mes plumbave në çdo ngjarje, djegije apo vrasje të atij viti të mbrapshtë apo Rexhep Qosja. Ky i fundit i quan ato ngjarje revolucion i vonuar demokratik. Por, mos harro se ky akademik në atë kohë të vetmin informacion lidhur me këto ngjarje e merrte nga vila e tij ku kishte të ftuar ca shkrimtarucë nga Tirana, të cilave iu shkruante parathëniet e librave që ato shkruanin. A mund të thuash se, Gjini që i quan këto ngjarje rebelim i armatosur komunist, ka patur më pak dokumente prova dhe fakte se Qosja. Zgjidhe këtë çështje pastaj gjyko. Gjini e ka bërë punën e tij. Ai ka botuar edhe një libërth për këto ngjarje. Libërthin e tij e ka quajtur ‘Kronikë pa koment’. Ka aty ngjarje data dhe emra që të trondisin. Kjo, pasi disa prej këtyre zjarrvënësve i ke sot të inkuadruar në kabinetin e qeverisë së Berishës.

Gjini ka bërë zgjedhjen e tij. Eshtë larguar. Ka studuar. Punë e tij. Ai shqetësohet me të drejtë për vendin e tij. Siç shqetësohemi unë dhe ti. Ka një ide të tijën se si mund të zgjidhet kjo çështje. E hedh në letër. E dërgon për botim. Botohet. Nuk është shkrim i përsosur, por së paku parashtron një problem dhe jep rrugëzgjidhjen e këtij problemi sipas mendimit të tij. Nuk është e ndershme t’i kundërvihemi me këtë lloj gjuhe. Le të ulemi e ta marrim shtruar. Të diskutojmë se si mund të rregullohet kjo punë dhe jo të shajmë.

Kështu mendoj unë së paku.

Dr. Fatmiri, Londër

Kokën në orient-këmbët në oksident

E besoj Zotin. Gjini kur thotë “unë sinqerisht mendoj njerën palë bolshevike dhe tjetrën oksidentale”, por duke patur parasysh se politikisht mendon ashtu, pasi të dyja palët janë degë dhe fidanë të së njëjtës pemë, që ndryshojnë vetëm nga pronari. Koncepti orientues oksidental e oriental për karakterizimet politike të shkruesve të historisë është evaziv po aq sa ç’është diskriminues ai komunist e fashist, prandaj mund të përdoret koncepti i “integritetit shkencor” që i bën më të moralshëm para pronarëve të tyre pa integritet. Të tillë nuk janë kurrë idhujtarët e paguar të pushtetit nga një shtet pa integritet, që ka kokën në orient dhe këmbët në oksident.

Studenti

Historia nuk ka pse të jetë partiake

Historia nuk ka pse të jetë partiake, por ajo nuk mund të jetë e paanshme dhe jogjithmonë ne do mund t’i vlerësojmë njësoj figurat apo edhe datat e historisë. Zgjidhja në debatin më sipër është mjaft e thjeshtë dhe zoti Gjini e ka dhënë këtë, ne nuk kemi pse ua lëshojmë të huajve gjithçka, por nëse pajtojmë një universitet prestigjoz si Oxford e sigurt që do të mund të përftojmë tekste (për shkollat e nivelit para universitar) që në mos na vijnë për shtat do të jenë të pranueshme për të gjitha palët, më tej historianët vendalinj apo kushdo tjetër le të ketë të drejtën të na japë variantet e tij. Nuk bëhet fjalë këtu për të thënë se, historianët tanë janë të pazotë, por ama mund të thuhet fare mirë, që janë të anshëm, çka është normale sidomos për ngjarje që i kanë jetuar dhe natyrshëm mund t’i kenë perceptuar ndryshe nga shumë të tjerë. Nga ana tjetër, temat që hanë diskutim apo për të cilat ka versione krejt kontradiktore, do të mund të shtjellohen gjatë e gjërë në libra pak më të mëdhej se ata për fëmijët apo adoleshentët që kanë nevojë të bruhen me të vërteta gjithëpërfshirëse, dhe jo të mësojnë një histori të pakundërshtueshme, të njëanshme që vetvetiu do të duhet të përmbyset sërish pas do kohësh.

Sandri

Gjenerali i Saliut me krejt shtabin ikën në një ceremoni mortore

O Ndrek Gjini, unë nuk jam as historian, as gazetar, dhe nuk kam qenë as simpatizant i komunizmit, por lidhur me rebelimin e ‘97 mund të sqaroj se, Divizioni i Tiranës u dorëzua pa asnjë fishek të shkrehur në ajër, i planifikuar nga gjenerali i Saliut, i cili mori gjithë shtabin e divizionit për të shkuar në ceremoninë mortore të nënës të një oficeri të shtabit dhe dyzina personash hynë në divizion, duke plaçkitur çfarë gjenin dhe për dijeni në divizion u kthye vetëm oficeri që pak orë më parë kishte varrosur të ëmën dhe aty nuk pati asnjë rebelim, por gjëra të planifikuara, po të interesoi pyete gjeneralin e ushtrisë së vdekur.

Duriet

Enveri- Një komandant që meriton notën dhjetë me yll

Gazetari: Ç’mendoni për figurën e Enver Hoxhës gjatë periudhës së luftës?

Sevo Tarifa (i ati i Fatosit): Emrin e Enver Hoxhës, unë, personalisht, nuk e kisha dëgjuar, ndërsa për herë të parë e pashë në vitin 1947, kur erdhi në Gjirokastër. Ndërsa, më vonë kam punuar rreth 20 vjet në shërbim të tij. Kam njohur një njeri të madh, udhëheqës popullor, ka qenë një komandant që meriton notën dhjetë me yll. Kundër tij, nuk mund të thuash dot asnjë fjalë. E nderonim dje dhe e nderojmë edhe sot.

Sevo, Gjirokastër

Historinë e një vendi nuk e shkruan dot një autor

Zoti Ndrek, t’i mirë e ke shqetësimin tënd, po ku dreqin ta zuri goja mor djalë emrin e Plasarit, i cili mezi pret ta zejë dikush me gojë, që të hidhet përpjetë. Punë imazhi, e kupton, marketingu sot është bërë shkencë. Sikur dhe ta shajë kush, prap fiton rating, nga ana statistike del në krye të listës në google.com. Sa për historian që këtej nga brenda nuk duket, ndoshta e sheh t’i andej nga larg, ku bën dhe më ftohtë. Në e ke fjalën për ca botime të tij, ato veç histori nuk janë, po nejse, gjithsekush me të vetën beson si i duket më mirë.

Lidhur me historinë doja të të thoja dy fjalë. Historinë e një vendi nuk e shkruan dot një autor, se është shumë qoftë dhe për një grup autorësh. Historia shkruhet me breza studiuesish në vite. Për çdo periudhë zbulimet apo formulimet e teksteve historike bëhen subjekte kongresesh, ku pas një debati shkencor vihen piketat dhe merren për bazë për hartimin e teksteve. Një studiues mund të marrë në analizë një ngjarje historike dhe ta analizojë në detaje, duke gërmuar në dokumentacion, por dhe duke i kaluar në filtrat e shkencës historike. Për këtë punë, që të dali një pamje më e plotë e historisë së një vendi, do të duhet të punojnë të paktën nja 50 historianë gjithë jetën, pastaj mund të themi se kemi diçka serioze në dorë. Përderisa deri më sot historia është ngatërruar me politikën, jemi shumë larg nivelit që duhet. Kurrkush përveç shqiptarëve nuk mund ta bëjë më mirë historinë e vendit tonë, veçse duhet një kusht: Qeveria shqiptare duhet ta stimulojë këtë punë në vazhdimësi me një objektiv të qartë dhe t’i japë mundësi të punojnë në këtë drejtim jo vetëm pseudohistorianët e promovuar nga media e politizuar, por kujdo duhet t’i ofrohet kjo mundësi. Gjëja më e mirë është që të akordohen fonde speciale për çdo vit nga programe kombëtare, ku kandidatët të konkurojnë për tematika të ndryshme të përcaktuara mirë. Kjo punë duhet konceptuar nga Akademia në fakt, e cila duhet të vijë me projekte dhe propozime të saja për t’i akorduar buxhetin e nevojshëm për realizimin e këtyre objektivave me afat të gjatë. Çdo mësues historie i apasionuar mund të studiojë një ngjarje historike lokale apo kombëtare dhe ta pasurojë historinë e vendit me fakte të reja. Pra, bëhet fjalë për organizim në shkallë vendi, me një ringjallje të një aktiviteti shkencor të lënë pas dore, për të cilin kemi aq nevojë për ngritjen e identitetit tonë kombëtar.

Përparim Demi

Në Shqipëri ka mbetur gjithçka si në komunizëm

O Ndrek, po këta të sotmit janë më komunistë se baballarët e tyre. Këtu në Shqipëri ka mbetur gjithçka në komunizëm. Emrat e rrugëve, të shkollave, medaljet, gjykatësit, zyrtarët, titujt hero i popullit kriminelëve etj.

Shqiptari

________________

Fobia prej “fobisë” ndaj të huajve

Zoti Gjini! Unë nuk besoj se nga komenti kritik që unë botova në këtë gazetë dy ditë më parë, ju keni mundur të kuptoni qëndrimin tim në lidhje me historinë e Shqipërisë dhe nevojën e rivlerësimit dhe të rishkrimit të saj, siç pretendoni në replikën tuaj të djeshme dhe meqenëse këtë nuk e keni kuptuar, më vjen mirë që më dhatë rastin të bëj të njohur publikisht qëndrimin tim.

(1) Historia e çdo populli nuk shkruhet vetëm një herë, ajo rishkruhet, por jo sa herë që ndërrohen partitë politike në pushtet, siç kërkohet aktualisht në Shqipëri.

(2) Çdo shkencë, pra dhe ajo që studion historinë, nuk “prodhon” ose zbulon kurrë të vërteta përfundimtare. Një shkencë që pretendon se ka zbuluar të vërtetën e fundit nuk është shkencë; ajo është fe. Shkenca e vërtetë nuk njeh kufij përfundimtarë në atë sferë të realitetit që ajo studion dhe as autoritete shkencore të padiskutueshme. As historiografia nuk mund të pretendojë kurrë se mund të thotë fjalën e fundit, ose që mund të zbulojë të vërtetën “përfundimtare” për ngjarje, për periudha, ose për personalitete historike që ajo studion. Ajo, përkundrazi, synon dhe bën përpara, duke zbuluar fakte të dokumentuara përtej çdo dyshimi dhe të vërteta që i sqarojnë më mirë, ose në një mënyrë të re ngjarjet historike dhe rolin historik të personaliteteve dhe të grupeve të caktuara shoqërore.

(3) Rishkrimi i historisë së një populli është një projekt kolosal, i jashtëzakonshëm dhe e përsëris, nëse perifrazoj filozofin David Hume, një projekt i jashtëzakonshëm kërkon dokumentacion të jashtëzakonshëm.

(4) Si një projekt i tillë për nga përmasat dhe rëndësia, rishkrimi i historisë moderne të popullit shqiptar nuk mund t’u lihet në dorë historianëve të huaj; një ide e tillë, për mua, është një naivitet dhe një marrëzi intelektuale, me të cilën do të qeshnin të gjithë ata intelektualë perëndimorë që unë njoh. Ajo nuk ka të bëjë aspak as me atë që ju, në një mënyrë gjithashtu naive, në replikën tuaj e quani “fobi ndaj të huajve”, as me mungesën e vlerësimit për ndihma dhe për bashkëpunimin e Europës me vendin tonë. Madje, në këtë pikë të fundit, unë jam veçanërisht sensitiv dhe shumë herë kam deklaruar se atë që ju dhe shumë të tjerë e quani ndihmë të Europës, unë e konsideroj ndërhyrje në punët e brendshme të vendit tonë. Këtu kam parasysh sidomos sindromin “Doris Pack”, simbolin më të mirë të mediokritetit të Europës brukseliane, si edhe “leksionet” publike të disa ambasadorëve të huaj në Tiranë.

(5) Ka shumë periudha dhe ngjarje të historisë së Shqipërisë, të cilat është e domosdoshme të rivlerësohen seriozisht dhe të rishkruhen. Ju përmendni vetëm ngjarjet e vitit 1997 (dhe opinionin tuaj personal për to), ndërsa unë mendoj se, mbi të gjitha, duhet të rivlerësohet dhe rishkruhet periudha e socializmit shtetëror (1945-1990), si edhe të rivlerësohen figurat historike kryesore të saj. Unë nuk mendoj se, historianët shqiptarë apo ndonjë historian i huaj kanë zbuluar deri më sot dokumente historike të reja dhe kaq të rëndësishme saqë të bëjnë të domosdoshme sot, rivlerësimin e ngjarjeve që çuan në shpalljen e pavarësisë në vitin 1912, ose rolin e figurave të tilla të shquara dhe madhore në historinë e kombit tonë, si Ismail Qemali, Fan Noli, Luigj Gurakuqi etj., dhe as të figurave të tilla famëkëqija, si Esat Pashë Toptani etj.

(6) Rishkrimi i historisë së një populli dhe revizionimi i saj janë dy gjëra krejt të ndryshme; duke pranuar të parën, unë jam kundër të dytës, domethënë kundër revizionimit të historisë, të cilin e kuptoj si shtrembërim të qëllimtë, ideologjik të saj.

(7) Atë që ju e quani “fobi ndaj të huajve”, unë e konsideroj qëndrim realist, sepse bindja ime më e thellë është që historinë e Shqipërisë mund ta kuptojnë më mirë dhe ta rishkruajnë vetëm historianët shqiptarë. Ka qenë një kohë kur për historinë e Shqipërisë, ose për ngjarje të veçanta të saj, shkruanin studiues, udhëtarë dhe diplomatë të huaj (disa prej të cilëve kanë edhe kontribute me vlerë), por koha e sotme (dhe kjo kohë është shekulli i 21-të), nuk është as shekulli i 19-të dhe as fillimi i shekullit të 20-të. Sot, shqiptarët nuk janë më 95 përqind analfabetë; sot Shqipëria ka një klasë intelektuale të sofistikuar (një pjesë e së cilës e arsimuar në Perëndim) dhe sot, Shqipëria ka një përvojë të vyer në fushën e studimeve historike dhe albanologjike dhe traditën e figurave të tilla të ndritura në këto fusha, si Buda dhe Çabej, të cilët nuk i ka prodhuar në këto ‘60-‘70 vitet e fundit as qendrat “albanologjike” dhe as universitetet gjermane, austriake, angleze apo amerikane. Objeksioni im ndaj propozimit tuaj bëhet edhe më kritik, kur mendoj sesa absurd do t’u dukej francezëve që historinë e tyre t’ua linin në dorë ta rishkruanin historianët gjermanë, apo që historinë e Spanjës ta rishkruanin italianët, historinë e Shteteve të Bashkuara ta rishkruanin, fjala vjen, kanadezët apo që historinë e Serbisë dhe të Maqedonisë ta rishkruanin një grup historianësh, ose universitete europiane “të tenderuara” nga Brukseli, me paratë e Bashkimit Europian.

(8) Ju propozoni që qeveria shqiptare t’ua japë fondet për studimin e historisë së vendit tonë universiteteve amerikane apo atyre britanike, çka realisht do të thotë që ajo të mos paguajë për këtë punë ata dhjetëra e qindra historianë shqiptarë që studimin e historisë dhe historishkrimin e kanë ekspertizë dhe profesionin e tyre, pra edhe mjet jetese. Ajo që unë propozoj është që qeveria shqiptare të mos futë hundët në çështjet shkencore që kanë të bëjnë me vlerësimin dhe rishkrimin e historisë së Shqipërisë dhe të mos bëjë presion mbi historianët shqiptarë për ta rivlerësuar historinë kombëtare dhe për të shkruar tekstet e saj sipas interesave të politikës së ditës, përndryshe do të përsërisnim atë që, edhe ju vetë, zoti Gjini, e keni frikë dhe nuk e dëshironi, historinë e vjetër, kur Enver Hoxha vendoste se kush ishte Haxhi Qamili dhe pse duhej shpallur armik Sejfulla Malëshova.

Nëse duam ta quajmë të perënduar atë kohë, duhet të çmojmë më shumë lirinë intelektuale dhe të udhëhiqemi vetëm nga e vërteta, e cila nuk buron nga autoriteti, dhe të cilën nuk mund ta zbulojnë as qeveria, as historianët e huaj, por vetëm integriteti, puna e palodhur, talenti dhe profesionalizmi i studiuesve tanë.

Fatos Tarifa

________________

Neofobia e Tarifës rreth termit “Revisionim i Historisë”

Zoti Tarifa! E përsëris, të vlerësoj për potencialin intelektual dhe kontributin në fushën e shkencave sociologjike.

E lexova shkrimin tuaj, “Fobia prej fobisë së të huajve”, botuar në MAPO para disa kohësh. Nuk do të përgjigjem me citime autorësh të huaj, historianësh, antropologësh apo politikologësh. Ato na hyjnë në punë mua dhe ty në ndonjë debat akademik, dhe jo lexuesit.

Ta them sinqerisht, pak a shumë kështu si t’i mendoja dhe unë para dhjetë vjetësh. Një lloj puriteti shqiptar dhe megalomanie nacionale vlonte në dejet e mia, (tamam si në shkrimin tënd “Fobia prej fobisë së të huajve”. Sot, mendoj krejt ndryshe. Por edhe ty të mirëkuptoj për atë lloj qëndrimi dhe ndjenje që mbart. Nuk është ndjenjë e keqe. Eshtë paksa e vjetëruar për vitin 2012, por përsëri ende në modë në Ballkan. Eshtë jo realiste, kuptohet. Dhe, për mendimin tim, jo fort e shëndetshme për t’u injektuar tek brezi i ri në këto kohë integrimesh të mëdha.

Frika e këtij lloj injektimi tek brezi i ri është i vetmi motiv i brendshëm që më shtyn për ta vazhduar këtë debat. Kjo, pasi Ju jeni një lektor aktiv.

Një lexues i kujdesshëm i shkrimit tuaj e kupton, se si Ju për të ruajtur vendin e punës në pozicionin akademik që aktualisht mbani i shmangeni në mënyrë djallëzore pyetjes direkte që unë ju bëj rreth etiketimit të ngjarjeve të 1997-ës.

Pikërisht për këtë, unë e përsëris se për një mijë e një arsye, botëformimi dhe interesat e historianëve shqiptarë nuk e kanë arritur ende stadin e duhur për të bërë një tekst bazë të historisë së Shqipërisë në mënyre objektive.

Ja si i përgjigjeni Ju pyejes time për ngjarjet e 1997-ës. “Ju përmendni vetëm ngjarjet e vitit 1997 (dhe opinionin tuaj personal për to), ndërsa unë mendoj se, mbi të gjitha, duhet të rivlerësohet dhe rishkruhet periudha e socializmit shtetëror (1945-1990), si edhe të rivlerësohen figurat historike kryesore të saj”.

Ku është këtu përgjigja juaj për ’97-ën?. Askund. Dhe kjo kuptohet. Në këtë përgjigje tuajën lexohet lehtësisht botëformimi juaj dhe vlerësimi që ju keni për periudhën e “socializmit shtetëror (1945-1990)”. Kjo është zgjedhja juaj dhe unë ju mirëkuptoj. Megjithëse personalisht mendoj dhe gjykoj krejt ndryshe mbi këtë periudhë.

Por nuk mund të pajtohem kurrsesi me ato që Ju thoni në vijim, në përgjigjen tuaj.

“Unë nuk mendoj se historianët shqiptarë apo ndonjë historian i huaj kanë zbuluar deri më sot dokumente historike të reja dhe kaq të rëndësishme sa që të bëjnë të domosdoshme sot rivlerësimin e ngjarjeve që çuan në shpalljen e pavarësisë në vitin 1912, ose rolin e figurave të tilla të shquara dhe madhore në historinë e kombit tonë, si Ismail Qemali, Fan Noli, Luigj Gurakuqi etj., dhe as të figurave të tilla famëkëqija, si Esat Pashë Toptani etj.”(F.Tarifa. MAPO.12/02/2012).

Kjo deklaratë e juaja është e pakapërdishme, e papranueshme dhe e pavërtetë. Dhe mendoj se, nëse Ju vërtet besoni në një gjë të tillë, dhe nuk e keni bërë këtë veç për t’i bërë qejfin ndonjë grupimi politik ekstra të majtë, kjo është edhe dukshëm regresive për një lektor aktiv.

Kjo për faktin, sepse janë me qindra e mijëra, prova dhe dokumente të reja të botuara në formë artikujsh dhe librash, (në këto 20 vitet e fundit), nga historianë të huaj dhe shqiptarë që shpalosin para nesh një Ismail Bej Vlora krejt ndryshe nga Ismail Qemali (i im dhe i joti i para viteve ’90-të). Duke e bërë figurën e tij më realiste, pa ia zvogëluar aspak rolin edhe kontributin në Shpalljen e Pavarësisë. Këto fakte të reja, të cilat unë çuditem se si nuk i paske parë flasin edhe për Fan Nolin. Në dritën e këtyre fakteve, ai na del si organizues dhe drejtues i një grushti shteti. Këto fakte, zoti Tarifa, flasin edhe për Luigj Gurakuqin, (apo dhe për Lef Nosin, Dom Nikoll Kaçorin, Rexhep Mitrovicën, që Ju nuk i përmendni fare), edhe Esat Pashë Toptanin e plot të tjerë. Madje, flasin edhe për themeluesin e shtetit shqiptar Ahmet Zogun, të cilin Ju në mënyrë djallëzore e keni lënë jashtë kësaj liste.

E përsëris, shkrimi juaj në vend që të jepte një rrugëzgjidhje se si mund të shkruhen këto tekste bazë të historisë me objektivitet, merret me retorikë boshe. Gjuha dhe stili janë të vjetëruara. Toni, tipik bolshevik. Këndvështrimi, nacionalisto-socialist (i reformuar).

Së fundi, për të mos u zgjatur. Ç’është kjo fobi që keni nga fjala “revizionim i historisë” ?. Në Google, (http://en.wikipedia.org/wiki/Historical_revisionism), apo dhe në literaturën përkatëse kuptimi i këtij termi nuk është aspak negativ. Ky term përfaqëson një rrymë majft frytdhënëse në studimet e historiografisë. Unë personalisht kam patur fatin të jap dy provime universitare mbi këtë rrymë, “Historical Revisionism” dhe “Historical Revisionism and the Irish War of Independence.”

E mira e Shqipërisë kërkon konsultimin, konsulencën, parashtrimin e platformave dhe rrahjen e mendimeve. Kjo në kuptimin e asaj se, cila prej këtyre platformave mund të jetë më frytdhënëse për shkrimin e teksteve bazë të historisë me objektivitet. Unë e kuptoj se, ajo ç’ka unë kam parashtruar nuk është një platformë e përsosur. Ajo mund të diskutohet, të ndryshohet, apo dhe hidhet poshtë si e pa vlerë. Por debati konstruktiv mbi të, besoj se nuk bën ndonjë dëm. Retorika dhe sharjet janë jo frytdhënëse.

Ndrek Gjini

________________

Reagime

Qëndrimi i Tarifës është i balancuar

Artikulli i Prof. Tarifës paraqet një qëndrim të balancuar ndërmjet nevojës për të rivlerësuar etapa të ndryshme të historisë së Shqipërisë dhe individëve që kanë lidhje me to. Nuk e kuptoj racionalitetin e replikës, pasi nga njëra anë e “akuzon” Prof. Tarifën si hesitant në drejtim të rishikimit të historisë, kur në fakt ai vetë [Prof. Tarifa] shtron nevojën e rivlerësimit të saj, si p.sh. (citoj) “periudha e socializmit shkencor duhet rivlerësuar”. Nëse Prof. Tarifa do të kishte botëformim bolshevik (etiketim i replikuesit), të paktën kjo periudhë do të kishte mbetur jashtë vëmendjes së tij. Nëse gjithçka, botëformimi i Prof. Tarifës duket tërësisht shkencor, çfarë replikuesi e njeh që në fillim të replikës të tij, si dhe kur njeh referenca politologësh dhe philozofësh vs. ëikipedia që jepet si autoritet referimi në replikë.

Agri

Profesori mbron hapur të pavërteta absolute

Eshtë një koment tepër i dobët ky i yti në mbrojtje të profesorit tënd o zoti Agri. T’i mendon se do të marrësh një notë kaluese në lëndën e tij, duke i treguar atij këtë koment në mbrojtje të tij. Por përgjigja e Profesorit tënd po citoj shkrimin e tij “ndërsa unë mendoj se, mbi të gjitha, duhet të rivlerësohet dhe rishkruhet periudha e socializmit shtetëror (1945-1990), si edhe të rivlerësohen figurat historike kryesore të saj”, është as mish as peshk. Nuk thotë se në ç’aspekt duhen rivlerësuar këto figura. Duhet thënë se Enver Hoxha dhe Byroja Politike duhen shpallur të gjithë heronj të kombit dhe u duhet ngritur monument apo duhet thënë që qenë persekutorët dhe vrasësit e qindra mijëra shqiptarëve të pafajshëm. (Këtë nuk na e thotë profesori yt. Le më pastaj kur thotë: Unë nuk mendoj se historianët shqiptarë apo ndonjë historian i huaj kanë zbuluar deri më sot dokumente historike të reja dhe kaq të rëndësishme, sa që të bëjnë të domosdoshme sot rivlerësimin e ngjarjeve që çuan në shpalljen e pavarësisë në vitin 1912, ose rolin e figurave të tilla të shquara dhe madhore në historinë e kombit tonë, si Ismail Qemali, Fan Noli, Luigj Gurakuqi etj., dhe as të figurave të tilla famëkëqija, si Esat Pashë Toptani etj. Kjo është mbrojtje e hapur e një të pavërtete absolute. Për këtë flet më së miri lista e emrave që ai përmend, duke lënë jashtë kolosët e vërtetë të formimit të shtetit shqiptar. Le të mos flasim pastaj për vlerësimin që u bën ai deklaratave të ambasadorëve të huaj në Tiranë kur i quan ato si, ndërhyrje në punët e brendshme, tamam si Enver Hoxha qëmoti.

Pastaj e deklaron hapur qëndrimin e tij kundër revizionimit të historisë. Kur dihet se kjo rrymë e historiografisë botërore që i ka fillimet e saj në vitet 1960 në Amerikë, sot është bërë një realitet i pamohueshëm dhe mjaft i signifiankt në studimet e historiografisë.

Të gjitha këto flasin për një fobi ndaj ndryshimit apo quaje si të duash.

Landi

Shqipëria do të ndryshojë kur brezi i “njeriut të ri” do të dalë në pension

Zoti Tarifa dhe shumë të tjerë në moshën e tij, kanë mbrojtur titujt e tyre shkencore, duke shkruar histori si e “Heroinës Shkurte Pal Vata”. Dhe ato palo komisione që jepnin këto tituj ishin thjesht komisione rotacion që i jepnin titujt njëri-tjetrit. Kjo nuk është vetëm në fushën e historisë, por në çdo fushë shkencore dhe universitare të Shqipërisë. Eshtë për të ardhur keq, kur sot t’i mundohesh të mbrosh një titull shkencor dhe komisioni që të vlerëson ty janë njerëz që nuk të kuptojnë se çfarë po thua se nuk shohin më larg se hunda e tyre dhe duan ta quajnë vehten etalon dhe krijojnë vetëm klone të injorancës (me tituj shkencorë).

I lutem zotit Gjini të mos harxhojë energjitë e tij, duke u kthyer përgjigje këtyre emrave që shfrytëzojnë çdo rast për të dalë në gazeta edhe sikur u duhet të përbaltin këdo që mendon ndryshe.

Pas një kalvari të stërzgjatur të Shqipërisë sonë të dashur nën pushtimet e shumta, shkatërrimi i saj më i madh erdhi nga Turqia që shdërroi në një mentalitet anadollak dhe periudha më famëkeqe komuniste që vrau dhe burgosi të gjithë ato koka të inteligjencës, ndërgjegjes, shpirtit tonë kombëtar nën parrullën e njeriut të ri. Dhe zoti Tarifa, Plasari e të tjerë janë ky lloj kloni komunist që duan apo nuk duan do të ngelen në këtë grup, por të paktën duhet të kenë moralin të lënë të tjerët të punojnë dhe jo të mundohen të fusin shkopinj në rrota.

Me keqardhje mund të them zoti Gjini, që e vetmja rrugë për zhvillimin e Shqipërisë në çdo fushë është rruga e ndryshimit të brezave, ku brezi i “njeriut të ri” do të zëvendësohet me brezat e shkolluar në universitetet më të mira të botës, dhe atëhere nqs do të jemi gjallë ne të dy do të lexoja me shumë kënaqësi shkrimet e tua dhe të ndonjë tjetri, duke e ditur me bindje të plotë se këto rrahje mendimesh do të jenë në nivele të mendjeve të hapura dhe shkencore.

Ladi, USA

Frika e  influencës politike është permanente

Ekziston frika se presioni dhe influenca e politikës shqiptare të sotme se si, qysh, me çfarë duhet bërë historia e Shqipërisë në tërësi dhe në etapa të veçanta të saj do të dëmtojë përsëri Historinë tashmë të dëmtuar të Shqipërisë nga historiografia komuniste.

Nuk mund të shohësh pa zhgënjim dhe frikë, presionin që bëhet mbi historianët dhe historiografët nga klasat politike në fuqi gjatë këtyre 20 viteve të demokracisë do të detyrojnë profesionistët që punojnë për tekstet shkollore të fillores të shkollave të mesme, madje dhe të universiteteve të marrin edhe njëherë kthesa 180 gradëshe në trajtimin e fakteve historike, duke u detyruar të theksojnë apo të fshehin fakte të etapave të ndryshme historike, sepse janë nën presion.

Është e qartë që, historia e Shqipërisë duhet plotësuar dhe revizionuar përsa i përket fakteve të reja, që kanë dalë zbulimeve arkeologjike të mëdha që janë bërë, pranimin e historianëve të rinj, që kanë dhënë ndihmesë në përforcimin e fakteve që kanë të bëjnë me lashtësinë, prejardhjen e shqiptarëve nga iliro-pellazgët, problemet e të ashtuquajturit boshllëk historik në të dhënat për principatat e para pas rënies së Romës dhe dyndjeve sllave, pra, rreth shekujve 6-12 er, problemet e mëdha të mos shkruarjes së gjuhës shqipe dhe përse princërit e asaj kohe, feudalët e asaj kohe, dhe përse ata shkruanin në greqishten e vjetër, në latinisht apo dhe në sllavisht.

Probleme të veçanta që duhen revizionuar do të ishte periudha e Ahmet Zogut dhe vënia e figurës së tij në vendin që i takon bazuar sigurisht në faktet e asaj periudhe, por pa u influencuar nga dëshira për të zmadhuar rezultatet që arriti mbretëria shqiptare, duke mos harruar të metat dhe gafat ligjore që pati në atë periudhë që nga marrja e pushtetit me dhunë dhe deri tek lënia e pushtetit si frikacak dhe hajdut.

Po kështu, mendoj se duhet revizionuar periudha komuniste, por duke ruajtur në radhë të parë idenë se lufta ishte çlirimtare dhe luftë civile.

Përse themi se, politika e sotme po ushtron presion mbi revizionimin e historisë ashtu si e duan ata dhe jo ashtu si është bazuar në fakte?

Sepse të paktën disa herë gjatë mandatit të tij, Kryeministri i vendit ka dhënë orientime për të revizionuar historinë e Mbretërisë së Zogut dhe të periudhës komuniste, gjë që në aparencë nuk duket të ketë ndonjë gjë të keqe, por janë vënë re në këtë periudhë disa fakte, të cilat japin shenja të presionit politik: ndryshimi i stafit të akademisë, dhe botimi i teksteve shkollore të historisë së Shqipërisë që kanë krijuar probleme gjatë këtyre 20 viteve për shkak të mos koherencës së fakteve në to, duke krijuar pështjellime tek nxënësit e studentët, por dhe tek vetë historianët.

Problemi tjetër qëndron tek preferencat e Kryeministrit dhe politikanëve të ndryshëm, duke ngritur në piedestal disa figura historike dhe duke injoruar figura të tjera, duke krijuar pështjellim dhe “përkthim” të keq tek specialistët, që paguhen nga shteti, sepse ata detyrohen të shkruajnë ato që kërkon politika dhe jo ato që duhen në të vërtetë; p.sh, Kryeministri Berisha ka ngritur në piedestal dy figura historike si Zogun dhe I.Qemalin, por duke injoruar Heroin Kombëtar dhe rilindësit shqiptarë. Kjo po krijon konfuzion të plotë të historisë. Ashtu si E. Hoxha, i cili injoroi disa figura historike ashtu dhe Zogu, ka djegur arkivat, kur erdhi përsëri në pushtet, Turqia, sot kërkon ndryshimin e historisë së Mesjetës dhe të Heroit Kombëtar, duke e quajtur atë direkt: tradhtar! Përgjigja e politikës shqiptare ishte zero! Turp i vërtetë. Po kështu, pa dashje ndoshta dhe Berisha preferon disa figura historike dhe injoron të tjerë, duke krijuar përshtypjen se pranon kërkesat turke, por dhe e dëshiron ndryshimin e historisë sipas preferencave të tij. Kjo është e gabuar. Mendoj se, revizionimi i historisë ashtu si e përmenda më lart u duhet lënë historianëve pa presione politike dhe nëpërmjet një Këshilli historianësh shqiptarë, kosovarë, diaspora dhe të shqiptarëve të Maqedonisë. Rreziku është i madh. Le të shpresojmë që politika të heqë dorë nga presioni. 

Pirro Prifti

Historia nuk fillon e mbaron me vitet 1945-1990

Të thuash se sot është e nevojshme të vlerësohen figurat e viteve 1945-1990 do të thotë që për Tarifën historia fillon e mbaron aty. E kotë ta zhvilloni debatin më tej zoti Gjini.

Zoti Gjini, njerëzit kanë nevojë ta njohin tërë historinë e Shqipërisë dhe jo atë të planeve 5-vjeçare të një periudhe pa intelektualë të vërtetë, me heronj, njerëz fatkeq, për një periudhë që na mësonte dhe ushqente me idenë e vetmohimit, për çështjen e Partisë dhe shokut Enver. Për një periudhë ku përkujtoheshin vetëm të vdekurit.

E pra, njerëzit duhet të njihen me historinë e krijimit të shtetit shqiptar, arsyen e ardhjes së Princ Ëidit. Haxhi Qamilin, Fan Nolin. Periudhën e republikës së parë. Periudhën e monarkisë. Periudhën e pushtimit fashist e nazist etj.

Mario

Disniveli i Gjinit me Tarifën është i madh

Sinqerisht, më vjen keq për ty Gjin, që për shkak të disnivelit tënd me Prof Tarifën mundohesh kaq shumë, por nuk besoj që ky mund të të shkojë kot, se dhe kështu i pozicionuar përballë Tarifës nuk besoj se ngelesh pa gjë, diçka mëson jo vetëm t’i që i dhe rastin të bëjë një qendrim publik, duke të të thënë më shkoqur o Gjym se feja e shqiptarit është shqiptaria.

Drini,

Një “mendjendritur„ replikon me një njeri “të pashkollë”?!

O Drin! Me këtë koment gjysmëanalfabeti e fitove edhe t’i një notë kaluese në lëndën që të jep profesori mendjendritur që po replikon me kaq “sukses” me një njeri “të pashkollë” si Ndrek Gjini. E di temën e doktoraturës së proferoit tënd apo jo? Eshtë rreth jetës dhe veprës së Shkurte Pal Vatës. Të betohem që kjo është e vërtetë. Pyete zotin Tarifa po deshe.

Landi,

Eshtë gabim të sulmohen Doris Pack dhe ambasadorët e huaj

Nuk e di se në çfarë kushtesh dhe rrethanash Amerika të ka pranuar zoti Fatos, në ato vite që t’i ke shërbyer si ambasador. Pjesa e përgjigjes tuaj në replikën me zotin Gjini ku ju thoni:

“….unë jam veçanërisht sensitiv dhe shumë herë kam deklaruar, se atë që ju dhe shumë të tjerë e quani ndihmë të Europës, unë e konsideroj ndërhyrje në punët e brendshme të vendit tonë. Këtu kam parasysh sidomos sindromin “Doris Pack”, simbolin më të mirë të mediokritetit të Europës brukseliane, si edhe “leksionet” publike të disa ambasadorëve të huaj në Tiranë”, ju shpalos Ju si një anti-Europian marksist. Kjo deklaratë është sipas meje e papranueshme për një akademik me formim bashkëkohor siç e quani ju veten dhe e dëmshme për një mësimdhënës.

Doris Pack dhe ambasadorët e shteteve europiane apo SHBA-ve në Tiranë përfaqësojnë atë botë dhe atë sistem shtetëror dhe civilizimi që ne shqiptarët po kërkojmë t’i bashkohemi. T’i i quan deklaratat e tyre ndërhyrje në punët e brendshme, tamam si Enver Hoxha qëmoti.

Më vjen keq ta them, por po të ishim seriozë autoritetet drejtuese ku t’i punon, ato deomos duhet të ndaleshin tek kjo deklaratë e Juaja dhe të kërkonin që t’i së paku ta mohoje këtë deklaratë dhe të kërkojë ndjesë publike për botimin e saj.

Hektori, Bruksel

Shkrimi i historisë sonë nga të huajt është diçka e papranueshme

Këtu nuk ka rëndësi nëse dikush është profesor dhe tjetri jo, rëndësi ka ajo që ai tjetri thotë.

Sipas meje, vetëm mendimi që “specialistët e huaj të ridimensionojnë historinë tonë”, është totalisht i papranueshme dhe në të njëjtën kohë poshtërues për intelektualët e kombit tonë.

Kjo absolutisht nuk duhet pranuar. Të huajt mund të jenë pjesëmarrës dhe asistues në një grup pune të përbërë dhe të drejtuar nga intelektualët tanë, por jo e kundërta.

Dhe sa për faktet e reja, nuk besoj se ato fakte të reja për individualitetet e historisë sonë, janë aq determinuese saqë do të ndryshojnë rrjedhën e historisë sonë të shkruar në periudha të veçanta.

Natyrisht, ato mund të shtohen, porse kjo nuk do të thotë të rishikohet e gjithë historia jonë, sepse psh revolucioni i Nolit duhet quajtur grusht shteti, etj., aspekte të këtij lloji që janë më shumë në fushën e semantikës se sa të historisë.

-Megjithëse tek e fundit siç tha një personazh në një film amerikan që :…historia është një grumbull rregullash, mbi ngjarjet dhe datat e ndryshme, për të cilat biem dakort.

Kështu që, ato “rregulla” për të cilat është rënë dakort, dikur mund të ndryshohen me marrëveshje midis palëve shqiptare nën prizmin e kohës së sotme, porse faktet kryesore që krijojnë zemrën e historisë janë ato që ishin.

Tani mund të rishikohet gjuha e përdorur, dmth të përdoret një farë gjuhe më e butë për ata që janë parë nën prizmin e luftës klasore.

Megjithëse dikush që ka tradhtuar vendin, do të quhet tradhtar përsëri, porse ndoshta tani meqë jemi në demokraci mund edhe ta quajmë tradhtar i mirë.

Pse e them këtë?

Se do të vijnë brezat e tjerë më vonë dhe do të shikojnë që ne brezi jonë, Kishën ja dhamë grekut, vendin po e mbushim me varreza greke, hapësirën detare do ja falim Greqisë, telefoninë celulare ja dhamë firmës greke për 5 lekë, qeverinë e kemi mbushur me spiunë të grekut si në kohë të Nanos edhe në kohë të Berishës ….etj., akte “heroike” të këtij lloji që bëjnë tani qeveritarët tanë …..

Atëherë edhe ata, brezat e ardhshëm të jenë një çikë të butë kur të na gjykojnë …

Dmth të na quajnë:….Tradhtarë të mirë, ose tradhtarë nga halli,….

Se patriot nuk mund të quhesh në këto raste, se të qeshin bota..

Jetojmë në një botë të hapur.

Se ja psh., në kohën e Zogut, Enveri e ka sharë shumë, porse natyrisht tani nuk do e quajmë periudhën e Zogut, periudha e Artë e Shqipërisë, se gjyshja ime që ishte bejlereshë nga Kolonja thoshte që: në kohën e Zogut vdisje për një aspirinë, vdisnin njerëzit si pulat nga malarja etj.

Po ashtu, ne shikojmë në Ytube, video të kohës kur erdhi pushtuesi italian dhe Tirana dukej më keq se Kabuli i Afganistanit, gratë me burka …. të vjen turp t’i shikosh ato video ….

Tani që do të rishikojmë historinë si mendon zoti Gjini duhet ta shkruajmë që;

…Tirana në kohën e Zogut dukej si….Venecia???

Enciklopeia britanike e quan periudhën e Zogut një “Gjysëm relike e feudalizmit otoman” dhe për periudhën e Enverit e quan Shqipërinë, “Një vend modern industrialo-agrar”.

Tani me rishkimin e historisë, ne si do t’i quajmë këto periudha? –Si mendon zoti Gjini në këtë rast?

Fakti është se, Enciklopedia britanike dhe ajo amerikane, kur flasin për Shqipërinë thonë të njëjtat gjëra që thotë edhe historiogafia jonë e kohës së Enverit.

Edhe historiani amerikan, Edvin Jacque thotë po të njëjtat gjëra në librin e tij, Historia e Shqipërisë, libër, i cili gjendet edhe në Bibliotekën e Kongresit amerikan …

Megjithëse zoti Gjini mund të ketë mendim tjetër, sepse mund të kenë dalë fakte të reja që edhe Enciklopedia britanike nuk i ka ditur, por mbase jemi me fat se mundet që zoti Gjini t’i dijë…….

Raimondi

Dikur historia e Shqipërisë shkruhej kryesisht prej të huajve

Historia e Shqipërisë paraqet shumë vështirësi për t’u radhitur në mënyrë sa ma afër së vërtetës dhe me baza shkencore, si për ata që kanë shkruar në të kaluarën, ashtu për ata që i vihen asaj pune në kohën tonë.

Nga ana tjetër, shqiptarët nuk kanë pasur ato mundësi për me u marrë me atë punë, sepse vetëm pas shpalljes së Pavarësisë së krijimit të Shtetit të parë shqiptar më 1920, e në vazhdim në kohën e mbretërisë u krijuan kushtet fillestare që mundësonin disa intelektualë të nisnin të hidhnin shkrime të ndryshme historike, por jo të plota. Konica, e më tepër Fan Noli, u orvatën dhe veçanërisht Noli me Historinë e Skënderbeut, që mbetet vepra historike e parë e plotë. Por, me të meta, sepse asokohë ishte e vështirë të depërtoje në arkivat e bibliotekave të qyteteve të huaja, dhe Noli ra në ato dokumente që ishin ashiqare të njohura në bibliotekat italiane, dhe që edhe patriotë të tjerë i njihnin, veçanërisht arbëreshët e Italisë, por që nuk u konkretizuan me ndonjë vepër historike.

Në Shqipëri, nuk ekzistonte asgjë prej gjëje, dhe historia e Shqipërisë shkruhej kryesisht prej të huajve që sado që mundoheshin nuk mund të paraqitnin historinë shqiptare ashtu siç duhej, për shumë arsye, sepse jo vetëm që vinin e kalonin si udhëtarë e turista, por nuk kishin asnjë mundësi të ndeshnin ndonjë dokument, përderisa në Shqipërinë e sunduar prej turqve nuk ekzistonte asnjë lloj biblioteke apo institucioni kulturor dhe jo se jo ndonjë arkivë, përveçse një injorancë e plotë e përgjithshme. Ndonëse kishte ndonjë nëpunës apo funksionar ushtarak, që mund të dinin të lexonin e shkruanin, këto aftësi minimale i kishin për shkresa zyrtare. Edhe Rilindasit sado që kishin dëshirë e vullnet dhe një përgatitje të mirë, nuk i kishin ato mundësi të bridhnin nëpër arkivat e qyteteve të huaja, përveç në ndonjë rast të rrallë. Pra, duke qenë se në vendin tonë, problemi i dokumenteve ishte i pamundshëm, sepse nuk ekzistonin, historia e Shqipërisë, shkruhej në bazë të atyre dëshmive e thënieve të të huajve. Historianët e parë, tanë janë sipas radhës: Dhimitër Frangu, Gjin Muzaka, Marin Barleti, të cilët shkruan për Gjergj Kastriotin Skënderbeun dhe për rrethimin e Shkodrës. Duhet të kalonin 200 vjet pa të dilnin librat e tre shkrimtarëve të tjerë, por jo historianë, por që quhen historikë, si Buzuku, Budi e Bogdani, me Frano Bardhin e Matrengën. Kaq. Me ta mbyllet nisma e letrave shqiptare, si në fushën e historisë ashtu të veprave letrare, sepse kombi ynë ra nën pushtimin turk që e la krejt të prapambetur e nuk e lejoi të marrë frymë lirshëm 500 vjet rresht.

Kur duhej të krijoheshin kushtet e një redaktimi shkencor të historisë shqiptare, Pas Luftës së Dytë Botërore, pasi ishin formuar kuadro të larta intelektuale në universitetet më prestigjioze europiane, në Shqipëri ra murtaja e madhe e komunizmit, që përmbysi gjithçka. E para e punës, regjimi komunist zbatoi eliminimin e shfarosjen e gjithë shtresës intelektuale që ishte formuar në Europë, dhe i zëvendësoi me injorantë me diplomë dhe shkrimtarë mediokër, deri sa formoi kuadrot e veta me ideologji marksiste, besnikë e servilë të sistemit e me to krijoi Universitetin e Tiranës dhe Akademinë e Shkencave. Ndërsa në burg, mbante një trup të vërtetë akademik personalitetesh të larta të fushave të ndryshme të kulturës e dijes, që kishin shpëtuar pa u ekzekutuar. Prandaj, hartimi i historisë së Shqipërisë iu besua mediokrëve të pajisur me doktorata e marksizmit dhe të enverizmit, të cilët e sakatuan fare historinë dhe gjithçka lidhej me të, duke ia servirur rinisë shkollore e popullit, brenda dhe në trojet e tjera shqiptare, duke i mashtruar fund e krye.

Periudha 45-vjeçare e diktaturës komuniste, është periudha më e errët kriminale e historisë sonë. Jo vetëm për genocidin njerëzor, por edhe për atë kulturor, ku historia zë vend kryesor. Akademia e Shkencave është një institucion pa dinjitet që ka pas fatkeqësinë të ketë Shqipëria, sepse u bë zëdhënësja e politikës së diktaturës, duke falsifikuar gjithë historinë shqiptare nga zanafilla deri në ditët tona e në vazhdim, me ato

pseudoshkencëtarë e pseudohistorianë që e përfaqësonin dhe e përfaqësojnë dhe sot, sepse janë po ata që diktojnë e propagandojnë.

Lek Pervizi

Pa konsulencën e të huajve nuk mund të shkruajmë një histori reale

Kjo puna e historisë së Shqipërisë është shumë e ngatërruar. Unë përfundimisht besoj se, ne shqiptarët pa konsulencën e të huajve nuk mund të shkruajmë një histori reale dhe me objektivitet.

Ja sa lart e vlerëson Fan Noli, atë që ne e quajmë tradhtar Esat Pashë Toptanin.

Ndjehem i turbulluar krejt. Nuk di kë të besoj më parë.

Për këtë pozicionim diplomatiko-ushtarak të Esat Pashës, më shkurt 1916 shkruan dhe njohësi i mirë i marrëdhënieve ndërkombëtare Fan Noli: “Ay i cili lëfton sot për Shqipëri të lirë, sipas vendimeve të Konferencës së Londrës, është Esat Pashë Toptani![…] Esat Pasha pra, po lëfton për Shqipërinë, posa që u bashkua me fuqitë, të cilat zotohen për lirinë dhe tërësinë e saj. Shqiptarët që u bashkuan me austriakët, gjermanët dhe bullgarët nuk dinë pse lëftojnë,…(Fan Noli “Vepra 2” faq. 434. Tiranë 1988). Pikërisht dhe në përmbajtjen e memorandumit që i dërgon Noli, Presidentit Vilson në vitin 1918, përmendet pjesëmarrja në luftë e shumë ushtarëve shqiptarë në anën e Antantës dhe lavdërohen për civilizimin që treguan shqiptarët me trajtimin e ushtrisë së thyer serbe, që ikte nëpërmjet Shqipërisë; edhe për shkak të këtyre veprimeve kërkonte që të njihej pavarësia e Shqipërisë.

Martino

Historinë tonë deri më tash e kanë shkruar politikanët

E keqja e madhe e këtij vendi për sa i përket historisë është nuk e kanë shkruar historianët, po politikanët. Në kohën e sundimit turk është shkruar nën ndikimin turk. Në komunizëm dihet nga të gjithë se nga kush u shkrua historia. Unë mendoj se duhet parë me fakte, dhe të shkruhet taman siç ka ndodhur. Historia e shkruar nga sunduesit nuk është e vërteta.

Marku Uk

Historinë e Shqipërisë mund ta shkruajnë edhe të huajt

Tarifa thotë që “historinë e Shqipërisë mund ta kuptojnë më mirë dhe ta rishkruajnë vetëm historianët shqiptarë”. Çfarë nonsensi! Historinë e Shqipërisë mund ta kuptojë çdo historian i çdo nacionaliteti që mbështetet në fakte dhe burime. Si mund të duket historiografia shqiptare tregon vepra e sapobotuar 2500-faqeshe për historinë e Kosovës nga Jusuf Buxhovi, që na shpjegon që eposi i madh botëror “Iliada” dhe filozofia antike paraqesin trashëgimi shpirtërore të shqiptarëve…

Latinisti,

Duhet hulumtuar çdo burim, brenda dhe jashtë vendit

Jusuf Buxhovi është shqiptar dhe jo i huaj!?! Librat mund të lexohen dhe kuptohen nga të gjithë, por jo të gjithë mund t’i shkruajnë ato. Të gjitha komentet rreth kësaj teme tregojnë se megjithë kundërshtimet dhe argumentet, shqiptarët janë të aftë ta shkruajnë historinë e kombit, sigurisht, duke hulumtuar çdo burim brenda apo jashtë vendit.

Agri

Unë nuk kam gjetur akoma një historian të mirëfilltë shqiptar

Unë megjithëse janë munduar shumë nuk kam gjetur një historian të mirëfilltë shqiptar. Ata historianë shqiptarë që kanë shkruar historinë tonë kanë qenë të ndikuar nga ideologjia komuniste, të shkolluar në Shqipëri apo në Bashkimin Sovjetik. Janë historianë që nuk kanë pasur mundësi apo se kanë quajtur të nevojshme të hulumtojnë arkivat ndërkombëtare, të shkëmbejnë mendimet shkencore me kolegët e huaj. Paaftësia e tyre u duk qartë në reagimin ndaj librit “Skënderbeu” të historianit Oliver Schmidt. Ky i fundit profesor doktor në Universitetin e Vjenës, një nga njohësit më të mirë të historisë mesjetare shqiptare punoi 10 vjet në shkrimin e këtij libri, duke kaluar me qindra orë nëpër arkivat e vendeve fqinjë. Historianët e paaftë shqiptarë nuk gjetën asnjë argument për ta kundërshtuar dhe e akuzuan si serb! Aq të paaftë janë saqë në konferencat ndërkombëtare për historinë shqiptare as nuk ftohen nga kolegët e huaj.

Gramosh,

Brezat që vijnë do të jenë të padjallëzuar ato do të shkruajnë të vërtetën

Të mos zemërohet, inatoset e ca më shumë të bëhet merak Gjini e Co, pavarësisht ç’thotë, ç’bën e çdo bëjë Sala për të bërë a ribërë, shkruar a rishkruar historinë. Le të shkruajë edhe Sala, edhe zëdhënësit e gurmazit e të shpirtit të tij të zi….Plasari, Meta, Fevziu…. e turli të vetëquajtur të ditur. Do të shkruajnë edhe të tjerë, veç këtyre, që kanë parë e jetuar vetë ato kohëra, apo që kanë studiuar nëpër arkivat tona e ato të botës (Greqi, Turqi, Angli, Gjermani, Itali, Jugosllavi, Rusi, Francë, SHBA… etj) e të gjitha më pas do të shoshiten nga brezat, që do të jenë më të mençur, më të padjallëzuar, më të papolitizuar, dhe do të hedhin në koshin e plehrave kalbësirat që bien erë kutërbim.

Boro

________________

Përralla me Pavarësi e 28 Nëntorit

Për mëse 20 vjet, Sali Berisha e përdori politikën për të bërë histori dhe ia doli mbanë me sukses. Ai me rolin dhe kontributin e tij dominoi skenën politike shqiptare, gjatë gjithë periudhës së tranzicionit që bëri Shqipëria nga regjimi komunist drejt instalimit të sistemit demokratik.

Tani, pas mëse 20 vjetësh demokraci në Shqipëri, Sali Berisha në rolin e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, po përdor historinë për të bërë politikë.

Këtij aksioni politik, ai do t’ia dalë me sukses, pasi, si doktor që është, ka dhënë prova se e njeh mirë psikologjinë e shqiptarëve. Pra, e di se në thelb shqiptarëve u pëlqejnë vetëmburrjet me heronj, luftëra e data, qofshin këto dhe të sajuara. U pëlqejnë përvjetorët e festimet, pavarësisht ngjyrave politike apo fetare. Ai e di fare mirë, se shqiptarët veç sebep duan për të festuar.

Këtë 100-vjetor të ‘Pavarësisë së Shqipërisë’, Berisha me vetëdije të plotë po e përdor për të shtuar kreditet e tij politike. Normalisht, ai ka lexuar aq libra të historianëve të huaj, ku shpaloset e vërteta rreth kësaj ngjarje, dhe thellë në subkoshiencën e tij e kupton se ai akt nuk solli pavarësinë e vendit. Ngritja e flamurit në Vlorë, më 28 nëntor 1912, sipas historiografisë shkencore (jashtë glorifikimeve folklorike shqiptare), ishte thjesht një akt sporadik i nacionalizmit utopik shqiptar, dhe pati një influencë veç disajavore, dhe jo më gjerë se në Vlorë dhe rrethinat e saj. Shqipëria në atë kohë realisht kontrollohej nga Turqia, Austro-Hungaria, Italia, Greqia, Serbia, Mali i Zi etj. Shqiptarët dhe liderët e tyre në ato vite Perandorinë Osmane e kishin si të vetmen mburojë për mbrojtjen e tyre kundër synimeve për aneksimin e trojeve shqiptare nga serbo-malazezët, italianët apo grekët.

Meqenëse është vendosur të bëhen këto festime madhështore, së paku duhej të bëheshin disa korrigjime të domosdoshme, si për shembull të thuhet që Ismail Bej Vlora që ngriti flamurin në Vlorë më 28 Nëntor 1912, (flamur që realisht ishte ngritur më parë edhe në Tiranë, Prizren, Mirditë apo dhe në Iballë të Pukës,) nuk e kishte mbiemrin Qemali, por ‘Bej Vlora’.

Festimi i 28 nëntorit si ditë e Pavarësisë së Shqipërisë i ka fillesat e saj që në vitet e para të qeverisjes së Ahmet Zogut. Turkofilët shqiptarë, që ishin gati mazhorancë në ato vite në Shqipëri, po i prishnin planet Zogut, i cili kishte si synim të tijin orientimin e Shqipërisë drejt Europës Perëndimore. Kështu që ai, për të ngritur ndjenjën kombëtare të shqiptarëve, vendosi të glorifikonte këtë datë, si dhe emrin e Ismail Bej Vlorës. Kjo, pasi shqiptarët e njihnin faktin se kishte qenë pikërisht Europa Perëndimore ajo që e kishte ndihmuar Bej Vlorën në aksionin e tij nacionalist politik të 1912-ës.

Kur Zogu u largua nga froni, kjo datë dhe festimet rreth saj u harruan për shumë vite, derisa Enver Hoxha filloi ta përdorë sërish këtë datë për interes të regjimit të tij, duke ndryshuar mbiemrin e Ismailit, pra, duke i vënë atij si mbiemër emrin e dytë Qemal, emër i cili nuk përfaqëson as mbiemrin real, dhe madje as emrin e babait të tij. Enver Hoxha dihej se kishte urrejtje nga mbiemri ‘Bej’, ashtu sikundër nuk duronte as atë ‘Vlora’, pasi mendonte se ky lloj mbiemri i bënte karshillëk Gjirokastrës nga ai vinte.

Mungesa e interesit dhe e dëshirës për të korrigjuar mbiemrin e sajuar të tij, ‘Qemali’, tregon qartë se, kjo zhurmë festive me emrin ‘100-vjetori i Pavarësisë’, bëhet për të fituar kredite politike.

Gjithsesi, duke e njohur mirë historinë, si dhe duke qenë i ndërgjegjshëm rreth fakteve dhe ngjarjeve reale të kësaj periudhe historike të Shqipërisë, Berisha në fjalën e tij ishte i kujdesshëm në deklaratat që bëri në hapjen e këtyre festimeve. Ai jo pa qëllim përmendi edhe fjalinë, ‘të mos glorifikojmë gjëra dhe ngjarje jo reale’.

Kjo gjë, në thelb, shpreh atë që ai si person padyshim ka lexuar shumë nga tekstet atlernative të historisë së Shqipërisë, të shkruara në anglisht apo dhe në frëngjisht, tekste në të cilat shprehet e vërteta reale e atyre ditëve dhe viteve. Ai thellë në nënvetëdijen e tij e kupton se 28 Nëntori 1912 ishte thjesht një show i disa liderëve utopikë dhe iluministë shqiptarë. Show nga ato që ishin në modë në ato vite në krejt Ballkanin dhe Europën, për shkak të valës së nacionalizmit që kishte shpërthyer ngado. Berisha e di fare mirë, se Shqipëria më 28 nëntor 1912 nuk u bë e pavarur. Ai i di kalvaret përmes të cilave kaloi Shqipëria derisa u njoh nga Lidhja e Kombeve.

I di dhe emrat e atyre që kontribuan për këtë njohje, duke filluar nga Aubrey Herbert, Margaret Hasluck, Edith Durham, dhe plot të tjerë.

Është e drejtë e tij që, për një arsye apo për një tjetër ta përdorë 28 nëntorin e vitit 1912 për motive politike. Kjo është politika, dhe kjo gjë duhet mirëkuptuar. Por detyra e atyre që paguhen ta këshillojnë është që t’i shpjegojnë atij realisht dhe objektivisht sesi kjo datë mund dhe duhet të përdoret për të rivlerësuar disa figura, personalitete apo dhe data të tjera, të lëna me qëllim në harresë (për xhelozi nga Zogu, apo për motive politike nga Enver Hoxha.

‘Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë’ më 28 nëntor 1912, siç e thashë më lart, ishte veç një aksion nacionalistësh iluministë, i organizuar me lejen e Austro-Hungarisë dhe Turqisë. Kjo ngjarje realisht nuk solli pavarësimin e Shqipërisë nga administrata ekzistuese otomane, austro-hungareze, apo italiane. Delegatët që u mblodhën aty pas deklaratës së shpalljes së mëvetësisë së Shqipërisë, (deklaratë që u shkrua në shqip dhe turqisht), ngritën dhe një qeveri, e cila nuk i ushtroi asnjëherë funksionet e saj më gjerë se në Vlorë dhe rrethinat e saj. Delegatët shprehën aty edhe nevojën për bërjen e një kushtetute për vendin, gjë që nuk u arrit të realizohej. Realisht, aty u hartuan vetëm disa dokumente të përkohshme. Në fund të 1913-ës, kur Shqipëria u njoh nga fuqitë europiane si principatë me në krye një prijës të huaj, gjashtë Fuqitë e Mëdha i dhuruan Shqipërisë Kushtetutën e saj të parë, të quajtur ‘Statuti Organik’. Ky ligj qëndroi në fuqi për pak muaj gjatë 1914-ës. Qeverisja e vendit në vitet vijuese u bazua në një numër ligjesh dhe kushtetutash të përkohshme të pakodifikuara.

Historiografia shkencore që vepron mbi bazën e fakteve dhe jo të miteve mund të pranojë si ditë të pavarësisë së Shqipërisë ditën, kur Shqipëria u njoh si shtet i pavarur nga Lidhja e Kombeve; pra 17 dhjetorin e vitit 1920. Ditë, kur Lidhja e Kombeve e hodhi në votë çështjen e pranimit të Shqipërisë në gjirin e saj, dhe e njohu atë si shtet të pavarur. Relatues i pranimit të Shqipërisë në këtë Lidhje ishte lordi Robert Çeçil. Emri i këtij Lordi, fatkeqësisht nuk përmendet nga askush, ndërkohë që ai meriton një përmendore në Shqipëri. Kjo, pasi roli dhe kontributet e tij në ndihmë të vendit tonë ishin të jashtëzakonshme. Ekspozeja e tij për Shqipërinë në atë mbledhje ishte brilante. Pas fjalës që ai mbajti, propozimi i tij për pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, dhe njohjen e saj si shtet dhe komb i pavarur, u hodh në votë dhe me 35 vota pro e me shtatë abstenime, Shqipëria u bë anëtarja e 43-të e Lidhjes së Kombeve, duke vulosur kështu përfundimisht pavarësinë e saj.

Gjithçka tjetër është thjesht përrallë ose, e thënë me gjuhën e Fatos Lubonjës, ‘folklor’.

Ndrek Gjini

 ________________

Reagime

Isamil Qemali dhe Enver Hoxha do të kujtohen në shekuj

Po këto Ardianët dhe Ndrekët paskan marrë mision të vështirë dhe të pamundur më duket. Duan ta hedhin poshtë luftën tonë të lavdishme dhe heronjtë tanë që bënë histori. Isamil Qemali dhe Enver Hoxha do të kujtohen në shekuj, sepse shpëtuan kombin tonë.

Besniku, Vlorë

28 nëntori lidhet me ëndrrën jo me letrat

28 nëntori lidhet me ëndrrën, djalë, jo me letrat e “Evropit, kurves s’motit”, siç thotë Fishta! S’kishte për ta pranuar Evropi as edhe për 1000 vjet të tjera Shqipërinë, pa atë që bëri I. Qemali më 28 nëntor 1912! Ishte Pavarësi në zemrat e shqiptarëve, atje ku nisi, u rrit dhe ndjehej e realizuar ëndrra e lirisë! Ishte si fara, si guri i themelit. E ke parë që festohet fillimi i punimeve të një vepre të madhe? Kush do përmendur, sipas teje, dita e vendosjes së gurit të parë, apo dita, kur zyra Evropit i dha tapinë? Mund të ketë 100 vjet në mes këtyre dy datave, mund të jenë ndërruar 3 mbretër (për Luvrin, sa mbretër e perandorë punuan?). E, nëse është vënë siç duhet guri i parë (sipas synimit final), kjo siguron se e tërë godina do të qëndrojë. Megjithatë, kjo ideja jote “brilante” duhet të jetë një demagogji e menduar mirë (pjesë e një plani më të madh…) e jo thjesht një budallallëk i zakonshëm gazetarësh. S’duken ide për kapacitetin tënd intelektual. Kapaciteti yt real duket tek goglat e dushkut, p.sh., kur thua me siguri prej mushku: “Enver Hoxha dihej se kishte urrejtje nga mbiemri ‘Bej’, ashtu sikundër nuk duronte as atë ‘Vlora’, pasi mendonte se ky lloj mbiemri i bënte karshillëk Gjirokastrës nga ai vinte”.

Të paktën shto një “ndoshta…”, përpara “mendonte se…”, more qumështor!

Kirurgu

Ismail bej në atë kohë xhaxhanë e kishte Kryeministër të Turqisë

Ismail Bej në atë kohë xhaxhanë e kishte Kryeministër të Turqisë. Deri sa ka pas Turqia ushtrinë këtu si mund të quhet festa e flamurit 28 nëntori. Kur dihet se, flamuri është ngritur edhe në Malësinë e Madhe, bile një vit më parë nga Ded Gjoluli. Unë mendoj se, nuk ka pasur vlerën e duhur flamuri, kur ishte edhe flamur turk në Vlorë. Dihet se mbas ngritjes së flamurit në Vlorë, flamuri turk është ngritur përsëri në disa qytete. Unë mendoj se me ikjen e ushtarit të fundit turk nga Shqipëria duhet festuar.

Marku, UK

Enver Hoxha nuk ka shprehur urrejtje për Vlorën

“Enver Hoxha dihej se kishte urrejtje nga mbiemri ‘Bej’, ashtu sikundër nuk duronte as atë ‘Vlora’, pasi mendonte se ky lloj mbiemri i bënte karshillëk Gjirokastrës nga ai vinte.” Histori me kolloqife!! Ke ndonjë dokument ku Enver Hoxha shpreh urrejtje për Vlorën, si shemër e Gjirokastrës? Nëse jo, përrallat mbaji për vete dhe tregojua nipërve në mbrëmjet e dimrit!

Likja

Eqrem Bej Vlora: Manovra e Ismailit më ndaloi të marshoja drejt Vlorës

Unë them se, autori i shkrimit ka të drejtë. Ja si shkruan njeriu më i madh dhe më i ditur i saj kohe, kushëriri i Isamail Qemalit, Eqrem bej Vlora. (I ati i Eqremit, Syrjai dhe Ismaili ishin kushërinj të parë).

“Po sa e madhe ishte habia ime, kur po atë mbrëmje ata thanë se kishin ardhur me detyrë, (nga Ismail Qemal beu?) për të bindur ushtarët e mbledhur në Kuç, të lëshojnë pozicionet e tyre dhe të kthehen në shtëpi. Shqipëria, gjoja, qenka tanimë një shtet i lirë dhe i mëvetshëm, i cili dëshiron të jetojë në paqe me të gjithë fqinjët, e në radhë të parë me grekët. Kjo manovër e hollë dhe tepër e rafinuar bëhej që të më hiqte mua mundësinë të marshoja drejt Vlorës…..” Kujtime 1885-1925, Eqrem Bej Vlora faqe 303-304.

Kjo ka qenë historia reale e asaj date. Dhe bëhet fjalë për datën 29 nëntor 1912.

Mersini, Krujë

“Historiani” Sali bashkë me historianët e tij që shiten e blihen

Nuk e di nëse autori është historian profesionist. Nëse po, shpreh keqardhje për humbjen e rrugës qysh në “oborrin e shtëpisë”! Nëse je si unë, amator e dashamir i historisë e mbrojtës i të vërtetave të saj, të paktën, kur marrim mundimin të diskutojmë për historinë e kombit tonë, të vemë në punë arsyen e gjykimin objektiv për interpretimin e zhvillimit të ngjarjeve apo çasteve madhore që kanë përbërë historinë e Shqipërisë gjatë 100 viteve të fundit. Nuk arrij të kuptoj se, ku doni të dilni kur pohoni (afërsisht) se Shqipëria u bë shtet i pavarur, kur u njoh nga “Lidhja e Kombeve” më 1920! (?). Plaku i mençur, patriot e diplomat-Ismail “Bej” Qemal Vlora, në çastin më të volitshëm dhe kritik për fatet e kombit tonë, kreu aktin madhor të “nxitimit” të ngritjes të flamurit shqiptar në ballkonin e një shtëpie vlonjate, njëherësh, duke deklaruar dhe “mëvetësinë e Shqipërisë” më 28 nëntor 1912! Ti, or Nrekë, po e ditke mir boll se “tre komshitë” tanë, ishin ba gati ta coptonin Shqypninë tonë me ni herë sapo “Osmanët” të ngrenin çadrat e tyne e me gjithë lecka të iknin nga vendi ynë. Koha e vërtetoi këtë e, madje dy nga tre “komshitë” ende vazhdojnë me ëndrrat e 100 viteve më parë. Prandaj, akti i shpalljes së pavarësisë dhe mbrojtja që i bëri Shqipërisë atëherë Austro-Hungaria qoftë dhe për interesat e veta, e shpëtuan Shqipërinë nga coptimi i plotë e i pamëshirshëm. Këndvështrimi yt në lidhje me këtë fakt është tejet i gabuar. Sepse? E di vetëm ti. Sipas teje, Shqipëria u bë shtet i pavarur e me qeveri të sajën, në një fazë tjetër të historisë të saj, jo kur u çlirua nga pushtuesit nazifashistë më 29 nëntor 1944, por kur u pranua, disa vite më vonë në OKB. Ose, Kosova nuk është shtet sovran, sepse ende nuk është anëtare e OKB.(!?) Po jo, mor Ndrek! Bota ka ca rregulla që nuk mund t’i ndryshojmë as ti e as unë. Përsa i përket përfitimeve politike që kërkon të nxjerri “kryehistoriani” Sali bashkë me historianët e tij, që shiten e blihen sikur të ishin pelivanë të rëndomtë cirku endacak, me dokrrat e tij mbi historinë, nuk është vështirë të kuptohen. Prandaj të gjithë, historianë të vërtetë, patriotë të ndershëm e përfaqësues të inteligjencës, që as shiten e as blihen, duhet t’i thonë “NDAL” këtij antishqiptari të pakthyeshëm me fakte e argumente për të vërtetat historike të këtyre 100 viteve dhe të mos biem në kurthet e tij me qorrollisjet tona.

Ramazan Sula

Një nihilist i çmdendur kërkon të na hedhë poshtë historinë

Të lumtë dora e vogël o Ramazan Sula. E ke dërmuar fare gazetarin Gjini. Ke folur si nxënës besnik e njohës i shkëlqyer i historisë së shkruar nga Arben Puto, e i brumosur me idealet e shkrimeve të akademikut Tarifa.

Ah sa mirë ia ke bërë këtij nihilisti të çmendur që kërkon të na hedhë poshtë historinë tonë të lavdishme e heronjtë tanë përfshi këtu edhe plakun e mençur të Vlorës, që e ngriti flamurin shqiptar dhe e udhëhoqi popullin tonë trim e liridashës nga fitorja në fitore.

Historianë e historidashës si ti Ramazan, i duhet Shqipërisë në këtë përballje të egër me të “vërtetat” e turpshme të ca sali-istave si Plasari, Meta apo dhe do të çmendur të tjerë si A. Ndreca apo N.Gjini.

Besimi, Lezhë

VITI 1912 – Çfarë ka ndodhur në atë vit?

29 shkurt – Krijohet lidhja mes Bullgarisë dhe Serbisë

13 mars – Bullgaria, Serbia, Greqia dhe Mali i Zi, të përkrahur nga Rusia, krijojnë Lidhjen Ballkanike

29 maj – Lidhje mes Bullgarisë dhe Greqisë

8 tetor – Mali i Zi i shpall luftë Turqisë

10 tetor – Fillimi i Luftës Ballkanike

17 tetor – Bullgaria, Greqia dhe Serbia i shpallin luftë Turqisë

18 tetor – Italia dhe Turqia nënshkruajnë Traktatin e Lozanës

25 tetor – Ismail Qemali mbërrin në Vjenë, ku takohet me kontin Berhtold si edhe me ambasadorët e Francës dhe Anglisë

3 nëntor – Ismail Qemali i shoqëruar nga Luigj Gurakuqi arrin në Bukuresht të Rumanisë

4 nëntor – Oborri mbretëror i Rusisë njofton që princi trashëgimtar është hemofil

5 nëntor – Ismail Qemali mban një mbledhje në Hotel “Continental” në Bukuresht. Merret vendimi për emërimin e një “Komiteti drejtonjës”.

5 nëntor – Thomas Woodrow Wilson bëhet presidenti i 28 i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

6 nëntor – Ismail Qemali mbërrin në Vjenë

9 nëntor – Nga Vjena, Ismail Qemali i dërgon një telegram djalit të tij, Ethem beut, që ndodhet në Vlorë: “Me vaporin e parë vij. E ardhmja e Shqipërisë u sigurua. Tue pas besim në fatin e Atdheut, të veproni në relacione të mira bashkërisht dhe vëllazërisht që të siguroni vazhdimin e rregullimit të çështjeve të përgjithshme e të mbroni qetësinë dhe në çdo anë lajmëroni telegrafisht. Të fala Atnore”.

Si dhe parisë së Vlorës: “Me vaporin e parë po mbërrij. E ardhmja e Shqipërisë asht siguruar. Ju porosis qi tyke i mbështetur fatit t’atdheut të punoni së bashku e si vëllezën, të merreni me rregullimin e punëvet të përgjithshme, edhe të ruani qetësinë. I epni rrethevet lajmin e gëzueshëm. Ju falem të gjithëve atënisht”.

13 nëntor – I biri i Ismail Qemalit, Ethem beu, i përgjigje të atit: “Falënderime të sinqerta për të ardhmen e Shqipërisë. Kemi ftuar kudo bashkëatdhetarët të dërgojnë në Vlorë delegatë për asamblenë. Delegatët e emëruar presin udhëzime pas komunikimit të telegramit tuaj. Na udhëzoni nëse është e nevojshme të bëhet mbledhja. Shpejtoni ardhjen, në qoftë se, Durrësi nuk është bllokuar. Qetësi e plotë. Presim me padurim sqarimin e gjendjes. Të fala me respekt në emër të bashkëatdhetarëve”.

18 nëntor – Serbët mbërrijnë në Lezhë, pasi kanë marrë Mirditën dhe Matin.

Po atë ditë – Ismail Qemali i dërgon një telegram komisionit përgatitor: “Përpara së premtes jemi në Durrës. Është domosdo e nevojshme që delegatët të mblidhen në Durrës ose në Vlorë. Ftoini që të gjithë. Derisa të vij unë, mbani qetësinë dhe bashkimin. Çështja jonë politike është siguruar përfundimisht”.

Po atë ditë – Mytesarifi i Beratit i përcjell nënprefektit të Vlorës urdhërin e Valiut të Janinës, i cili kërkon ndalimin e mbajtjes së Kuvendit nga Ismail Qemali.

19 nëntor – Gazeta austriake “Neue Freie Presse” boton një intervistë të Ismail Qemalit.

Po atë ditë – Ismail Qemali bashkë me 14 shqiptarë niset nga Triestia për në Durrës me anijen Linx.

Po atë ditë – Grekët zbarkojnë në Himarë.

21 nëntor – Ismail Qemali zbarkon në Durrës nga që Porti i Vlorës është i bllokuar nga flota greke dhe strehohet në hotelin buzë Detit të Aziz pashë Vrionit. Përveç autoriteteve turke edhe dhespoti grek i Durrësit, Jakovos, nuk njeh flamur tjetër pos atij turk.

25 nëntor – Ismail Qemali arrin në Vlorë i shoqëruar nga delegatët e Durrësit, Shijakut, Tiranës, Krujës dhe Kosovës.

26 nëntor – Lind në Slatina të Rumanisë, Eugene Ionesco.

28 nëntor – Kuvendi Kombëtar fillon punimet në orën 14.00 në shtëpinë e Xhemil bej Vlorës, ku marrin pjesë 37 delegatë. Ismail Qemali mban referatin, duke e mbyllur: “Tanimë, s’na ka mbetur tjetër rrugë shpëtimi, veç se ndarja e Shqipërisë nga Turqia”, dhe propozon që:

Shqipëria të shpallë pavarësinë

Të formohet qeveria e përkohshme

Të emërohet pleqësia (senati).

Propozimet miratohen njëzëri duke miratuar:

Shpalljen e qeverisë së përkohshme (kryetar, Ismail Qemali)

Zgjedhjen e Pleqësisë me 18 anëtarë (kryetar, Vehbi Dibra)

Ismail Qemali propozon që, Shqipëria të shpallet “shtet më vete, e lirë dhe e pavarur”.

Ora 14 e 30, firmoset akti i shpalljes së Pavarësisë nga:

Ismail Qemal, Nikollë Kaçorri, Abdul Aziz Vehbi Dibra, Dudë Karbunara, Elmas Boco, Vehbi Harxhi, Qazim Kokoshi, Jani Minga, Rexhep Mitrovica, A.Rruçi, Abdi Toptani, Abas Dilaver Çelkupa, Mit’hat Frashëri, Shefqet Daiu, Zihni Abas Kanina, Xhelal Koprencka, Hajredin Cakrani, Qemal Elbasani (Karaosmani), Iljas Vrioni, Salih Gjuka, Dhimitër Berati, Dhimitër Emanuel Mborja, Dimitri Zografi, Murat Toptani, Pandeli Cale, Luigj Gurakuqi, Bedri Pejani, Spiro Ilo, Thanas Floqi, Lef Nosi, Dr.H.Myrteza, Nuri Sojliu, Mustafa Asim Kruja, M.Ferid Vokopola, Ymer Deliallisi, Xhemal Deliallisi, Nebi Sefa Lushnja, Zuhdi Ohria.

Ora 15 e 30, Ismail Qemali del në ballkonin e selisë dhe ngre flamurin shqiptar.

“Vëllezër shqipëtarë, sa të lumtur e ndjej veten sot, që shoh këtu në Vlorë kaq burra shqipëtarë të mbledhur tok…. Plot me gas e me lot në sy nga mallëngjimi, pra, po dal këtu para jush që t’ju gëzoj me sihariqin e madh se sot edhe këtë minute kongresi çpalli mëvetësinë e Shqipërisë, tuke lajmëruar gjithë botën mbarë për këtë punë e tuke me ngarkuar mua kryesinë e qeverisë së përkohshme të Shqipërisë së lirë. Porsi ëndërr’ më duket ky ndryshim i madh i vendit tonë që hoqi e voji të zezat e ullirit pesëqind vjet me radhë ndënë sundimin turk, por që tani në kohët e fundit ishte gati të jepte shpirtin përgjithnjë të shuhej të shfarosej krejtësisht nga faqja e dheut. Kjo Shqipëri, që dikur shkëlqente nga trimëria e pashoqe e bijve të saj: kjo Shqipëri, që kur i kërcënonte rreziku Europës nga pushtuesit e Turqisë, ndënë kryetrimin e pavdekur të saj Skënderbenë, u bë porta e hekurt kundra sulmeve më të tërbuara të sulltanëve më të egër që ka pasur Turqia.

Mirëpo, desh Zoti, që me punën, me trimërinë, guximin e pashoq të shqiptarëve, sot e tutje të marrin fund mjerimet e vuajtjet e atdheut tone, sepse këtu e kështu, jemi të lirë e të pavarur e me vehte, prandaj: qeshni e gëzoni!

Për t’ia arritur kësaj dite të bardhë e të madhe, na ka ndihmuar gjaku i dëshmorëve dhe puna e vlefshme e patriotëve t’anë… mirëpo mbledhja si më plak që jam m’a ngarkoi mua ngritjen e shenjtë të shenjës tonë Kombëtare, të Flamurit tonë të ëndërruar e të dashur. Ja pra, ky është flamuri ynë i kuq e me shqiponjë dykrenare të zezë në mes dhe tani, të gjithë bashkë si një trup i tërë dhe i pandarë, le të punojmë për ta mburrur, për ta përparuar e për ta qytetëruar si i ka hije atdhenë tonë të lirë. Tuke përfunduar s’më mbetet gjë, veçse t’i drejtoj një lutje Zotit të Madh që, bashkë me bekimet e tij që i lipij ta na japë për të qenë të denjë të kësaj dite, të pranojë që këtej e tutje të jem unë dëshmori i parë i atdheut, ashtu siç pata nderin dhe fatin që të jem i pari, ta puth e ta bëj të valëvitet i lirë, Flamuri ynë në atdheun tonë të lirë.

Rroftë Flamuri. Rroftë Shqipëria…”

29 nëntor – Arrijnë në Vlorë: Isa Boletini, Mehmet pashë Dërralla, Hasan Hysen Budakova, Tafil Boletini, Dervish Mitrovica, Zejnel Begolli, Halim Bajgora, Ahmet Ali Llapi, Riza beg Gjakova, Vehbi Dibra, Hajdin Draga etj. Të mbajtur në burg nga forcat serbe mungojnë delegatët e Kosovës si: Bajram Curri, Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Idriz Seferi, Sait Hoxha, etj.

Po atë ditë – Ismail Qemali i drejtohet: Anglisë, Italisë, Austro-Hungarisë, Francës, Gjermanisë, Rusisë, Rumanisë, Malit të Zi, Serbisë, Bullgarisë, Greqisë dhe Turqisë, për njohjen e pavarësisë së Shqipërisë.

“Kam nderin t’i njoftoj Shkëlqësinë tuaj se, delegatët e të gjithë krahinave shqiptare, pa dallim feje, të mbledhur dje në Asamblenë Kombëtare në qytetin e Vlorës, shpallën Pavarësinë e Shqipërisë dhe kanë ngritur një Qeveri të Përkohshme.

Shqiptarët po gëzohen që munden të hynë në familjen e popujve të lirë të Orientit, duke mos pasur për qëllim tjetër veçse të jetojnë në paqe dhe harmoni me të gjithë shtetet fqinje, shpresojmë se ky ndryshim i jetës politike e kombëtare i Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë ka për t’u njohur prej qeverive tuaja dhe atyre evropiane.

Kryetari i Qeverisë së Përkohshme

Ismail Qemali – Vlorë

1 dhjetor – Constantino Lazzari bëhet shefi i Partisë Socialiste italiane dhe gazeta “Avanti” i besohet Musolinit.

3 dhjetor – Nënshkruhet armëpushimi mes Turqisë, Bullgarisë, Serbisë dhe Malit të Zi.

4 dhjetor – Bëhet zgjedhja e plotë e qeverisë.

Ismail Qemali, Kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme,

Zëvendëskryeministër: dom Nikollë Kaçorri

Ministër i Brendshëm: Myfit bej Libohova dhe Asllan Pashali

Ministër i Drejtësisë: Dr. Petro Poga

Ministër i Bujqësisë: Pandeli Cale

Ministër i Financave: Abdi bej Toptani

Ministër i Arsimit: Dr. Luigj Gurakuqi

Ministër i Luftës: Gjeneral Mehmet pashë Dëralla

Ministër i Punëve Botërore: Mit’hat Dume Frashëri

Ministër i Postëtelegrafës: Lef Nosi

16 dhjetor – Flota otomane shkatërrohet nga grekët në hyrje të Dardaneleve.

Po atë ditë – Turqit heqin dorë nga Maqedonia dhe pranojnë pavarësinë e Shqipërisë.

20 dhjetor – Mblidhet në Londër konferenca për vendosjen e paqes mes Turqisë dhe shteteve ballkanike.

Qeveria e Parë e vitit 1912 kishte këtë moshë

Ismail Qemali, 68 vjeç

Nikollë Kaçorri, 50 vjeç

Bajram Curri, 50 vjeç

Isa Boletini, 48 vjeç

Vehbi Dibra, 45 vjeç

Hasan Prishtina, 39 vjeç

Myfit Libohova, 36 vjeç

Lef Nosi, 35 vjeç

Mit’hat Frashëri, 32 vjeç

Pandeli Cale, 33 vjeç

Mustafa Kruja, 25 vjeç

Rexhep Mitrovica, 24 vjeç

Po Ahmet Zogu dhe Enver Hoxha ç’moshë kishin në vitin 1912?

Ahmet Zogolli, ishte 17 vjeç.

Enver Hoxha, ishte 4 vjeç.

Posted on June 4, 2015, in Home. Bookmark the permalink. Comments Off on HISTORIA REALE E SHQIPERISE!? (Polemika).

Comments are closed.

%d bloggers like this: